Tragjedia me 8 viktima në Qipro, dyshime për lejen e fundit të tragetit në mot të keq

0

Detaje të reja nga tragjedia detare në Qipro po e zhvendosin vëmendjen te vendimmarrja e autoriteteve portuale, pasi trageti u lejua të nisej me 279 persona në bord edhe pse, sipas versionit zyrtar, më herët ishte ndaluar për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Tragjedia me 8 viktima në Qipro, dyshime për lejen e fundit të tragetit në mot të keq

Nisja u bllokua, pastaj u lejua pas rreth një ore

Sipas deklaratave të kryeministrit të administratës turko-qipriote në veri të Qipros, Unal Ustel, autoriteti përgjegjës për portet fillimisht nuk kishte dhënë leje për nisjen e katamaranit “Filo Jet” për shkak të motit të pafavorshëm.

Por vetëm rreth një orë më vonë, i njëjti mjet mori dritën jeshile për të lundruar nga Kyrenia drejt Tasuxhusë, në provincën turke të Mersinit. Pikërisht ky ndryshim i shpejtë i vendimit ka ngritur pikëpyetjet kryesore mbi kriteret dhe përgjegjësinë institucionale.

Pak minuta pas largimit nisi drama në det

Pas daljes nga porti, kur ndodhej rreth katër milje detare larg bregut, katamarani nisi të marrë ujë.

Më pas mjeti pësoi anim të madh, u përmbys dhe përfundimisht u fundos në një thellësi prej rreth 514 metrash. Në bord ndodheshin 279 persona.

Kërkesë për dokumentet dhe zinxhirin e firmave

Reagimet në veri të Qipros janë përqendruar te pyetja themelore: nëse mjeti u konsiderua i papërshtatshëm për lundrim për shkak të motit, mbi çfarë baze u lejua të nisej vetëm një orë më vonë.

Gazetarja turko-qipriote Aisemden Akin ka kërkuar publikimin e dokumenteve që lidhen me nisjen e katamaranit, përfshirë urdhrin e largimit, raportet e inspektimit dhe autorizimin për kryerjen e linjës.

Nën presion autoritetet përgjegjëse për portet

Një tjetër pikë që mbetet pa përgjigje është se kush e firmosi përfundimisht lejen e nisjes, në një kohë kur kushtet atmosferike kishin qenë arsyeja fillestare për ndalimin e tragetit.

Departamenti i Porteve, institucioni që mban përgjegjësinë për kontrollet përkatëse, është nën varësinë e ministrit përgjegjës për Transportin, Erhan Arikli. Kjo e ka përqendruar debatin publik te zinxhiri i vendimmarrjes që çoi në largimin e “Filo Jet” nga porti.

Hetimet pritet të sqarojnë jo vetëm rrethanat e mbytjes, por edhe nëse autorizimi për lundrim është dhënë në kundërshtim me vlerësimin fillestar për motin.

Deri tani, pikëpyetja më e madhe mbetet e pandryshuar: pse një traget i ndaluar fillimisht u lejua të nisej pak më vonë, me pasoja fatale.

Artikulli i mëparshëmSHBA-Iran përballje e re: raketa drejt bazave amerikane në Jordani, rriten tensionet
Artikulli i radhësVdes 37-vjeçarja shtatzënë gjatë transportit drejt Tiranës, dyshime për hemorragji të brendshme