Një çështje e hapur prej vitit 2017 në Shqipëri ka çuar para gjykatës së ekstradimit në Londër një 49-vjeçar me origjinë nga Abati i Shkodrës. Sipas autoriteteve shqiptare, ai dyshohet se është përfshirë në një mashtrim me një automjet tip Benz E Class dhe me përfitim të një shume prej 5 mijë eurosh.

Para gjykatës së ekstradimit në Londër
Të dhënat e bëra publike nga Westminster Magistrates Court tregojnë se Gjovalin Troja është paraqitur në këtë gjykatë për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, ndërsa arrestimi është kryer në qytetin Stroke-on-Trent nga Skuadra Kombëtare e Ekstradimeve në NCA.
Për çfarë e kërkon drejtësia shqiptare
Sipas urdhër-arrestit ndërkombëtar të lexuar në gjykatë, Troja kërkohet nën dyshimin se, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë periudhës 25 dhjetor 2017 deri më 10 janar 2018, mori me mashtrim nga shtetasi Y.K. një automjet model Benz E Class pa e paguar.
Në të njëjtin version zyrtar pretendohet gjithashtu se, po përmes mashtrimit, është përfituar edhe shuma prej 5 mijë eurosh.
Lirohet me kusht deri në seancën e radhës
49-vjeçari do ta ndjekë procedurën e ekstradimit në gjendje të lirë me kusht deri në seancën e ardhshme, e caktuar më 1 tetor.
Gjykata ka vendosur ndaj tij një garanci pasurore prej 5 mijë stërlinash, si edhe mbajtjen e një pajisjeje elektronike GPS për monitorim.
Në këtë fazë, gjykata në Londër po shqyrton vetëm kërkesën për ekstradim, ndërsa pretendimet e ngritura nga pala shqiptare mbeten pjesë e dosjes që do të vlerësohet në vijim të procedurave gjyqësore.
