Ish-Nënpresidenti amerikan Joe Biden ka shprehur shqetësimin “për vetë shpirtin e vendit tonë” pasi Presidenti Donald Trump u zotua të hënën të përdorë ushtrinë për t’i dhënë fund “trazirave dhe paligjshmërisë” që kanë shpërthyer në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së një afrikano-amerikani që mbahej nga policia një javë më parë në Minneapolis.
Në një fjalim televiziv kombëtar në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti paralajmëroi se “nëse një qytet ose shtet nuk pranon të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të tyre, atëherë unë do të dislokoj ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe do ta zgjidh problemin me shpejtësi”.
Komenti i referohej me sa duket Ligjit për Rebelimin të vitit 1807, i cili lejon presidentët të veprojnë ndaj paligjshmërisë gjatë emergjencave. Ligji u përdor së fundmi në 1992 në mes të trazirave në Los Angeles pasi një tjetër afrikano-amerikan, Rodney King, u rrah nga policia.
Presidenti Trump tha se ai “po mobilizonte të gjitha burimet e mundshme federale, civile dhe ushtarake, për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet, për t’i dhënë fund shkatërrimit dhe zjarrvënies dhe për të mbrojtur të drejtat e amerikanëve që respektojnë ligjin, përfshirë këtu edhe të drejtën tuaj të bazuar tek Amendamenti i Dytë”. Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve amerikanë për të mbajtur armë zjarri.
Pak para se presidenti të fliste, gazetarët që prisnin për komentet e tij në Kopshtin e Trëndafilave dëgjonin shpërthime të larta nga gazi lotësjellës që hidhej përreth Parkut Lafayette, ku forcat e policisë të veshura me paisje mbrojtëse shtynin me mburoja demonstruesit paqësorë. Gjithashtu u qëllua me plumba gome dhe u fut policia me kuaj për të pastruar zonën.
Lëvizja nga organet e zbatimit të ligjit erdhi më pak se gjysmë ore para orës 7 pasdite, kur shtetrrethimi hyri në fuqi për Uashingtonin.
Aksioni pastroi rrugën – por jo erën e gazit lotsjellës – rreth Kishës së Shën Gjonit, një bllok më në veri të Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti Trump eci vetëm disa minuta pasi hyri në fuqi shtetrrethimi. Kisha historike Episkopale, e njohur në Uashington si “kisha e presidentëve”, pësoi dëme të vogla mbrëmjen e së dielës kur një zjarr i vogël u ndez në bodrumin e saj.
Përpara kishës së mbyllur, Presidenti Trump mbajti një Bibël, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara si “vendi më i madh në botë” dhe tha: “ne do ta ruajmë të sigurt”.
Në vazhdim, Presidenti Trump u kthye përsëri në Shtëpinë e Bardhë i rrethuar nga masa të mëdha sigurie.
Disa orë pas fjalimit të presidentit dhe paraqitjes së tij para kishës së Shën Gjonit, Joe Biden, kundërshtari i prezumuar demokrat i presidentit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti, denoncoi veprimet e Presidentit Trump në llogarinë e tij në Twitter. “Ai po përdor ushtrinë amerikane kundër popullit amerikan”, shkruajti Biden. “Ai përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve paqësorë dhe gjuajti me plumba gome. Për një foto”.
“Për fëmijët tanë, për vetë shpirtin e vendit tonë, ne duhet ta mposhtim atë.”
Peshkopja Mariann Budde, udhëheqëse e Dioqezës Episkopale të Uashingtonit, gjithashtu shprehu në Twitter pakënaqësinë e saj me veprimet e Presidentit Trump. “Sonte Presidenti sapo përdori një Bibël dhe një kishë të dioqezës time si sfond për një mesazh që ishte e kundërta e mësimeve të Jezusit dhe gjithçkaje që përfaqëson kisha jonë. Për ta bërë këtë, ai sanksionoi përdorimin e gazit lotsjellës nga oficerët e policisë të veshur me paisje mbrojtëse për të pastruar oborrin e kishës”, shkruajti Peshkopja Budde.
“Vendimi i Presidentit Trump për të mobilizuar Ligjin për Rebelimin dhe retorika e tij provokuese, dëshmojnë se ai nuk mund të na udhëheqë në këto kohë të trazuara dhe të bashkojë vendin. Në vend të kësaj, ai ka vendosur të mbështetet në përdorimin e forcës ndaj atyre që ai i konsideron si kërcënim”, tha në një deklaratë Ligjvënësi Adam Smith, kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Presidenti, sipas zyrtarëve të Departamentit të Mbrojtjes, ka urdhëruar ushtrinë që të dislokojë një batalion të policisë ushtarake në Uashington, juridiksioni i vetëm ku ushtria mund ta bëjë këtë pa u këshilluar më parë me guvernatorin e shtetit.
Njësitë e Gardës Kombëtare
Të gjitha forcat prej 1200 anëtarësh të Gardës Kombëtare në kryeqytetin amerikan janë mobilizuar. Sipas zyrtarëve, pesë shtete po dërgonin me shpejtësi nga 600 deri në 800 ushtarakë të tjerë, disa të armatosur me armë vdekjeprurëse.
Forca të tjera ushtarake në shërbim aktiv, ndër to polici ushtarake dhe njësi xheniere, janë vendosur në gatishmëri përreth Distriktit të Kolumbias dhe mund të sillen nëse do të lindë nevoja, njoftuan zyrtarët.
Në orët e vona të së hënës, një helikopter Black Hawk i ushtrisë amerikane fluturoi mbi çatitë e lagjes historike Chinatown të Uashingtonit në një manovër “demonstrimi force”, duke i detyruar protestuesit të shpërndahen për të shmangur pluhurin dhe sendet që ngrinin helikat e helikopterit, që thyen edhe degët e pemëve.
Veprimet e Presidentit Trump po shihen si demonstrimi më i hapur i forcës autoritare që kur ai mori detyrën 3 vjet e gjysëm më parë.
“Jemi duke u përsiatur drejt një diktature”, tha Don Lemon në rrjetin e kabllove të lajmeve, CNN, menjëherë pas fjalës së presidentit. “Unë mendoj se presidenti po luan një lojë shumë, shumë të rrezikshme këtu”.
Presidenti i është referuar vazhdimisht CNN-it si “lajme të rreme” dhe shpesh i karakterizon mediat kryesore amerikane si “armiq të popullit”.
Presidenti Trump i quan guvernatorët “të dobët”
Më herët të hënën, guvernatorët morën një leksion nga Presidenti Trump, sekretari i mbrojtjes dhe prokurori i përgjithshëm, duke i nxitur ata të bëhen të ashpër me protestuesit e pabindur në rrugët e qyteteve të Amerikës.
Në një konferencë nëpërmjet telefonit me guvernatorët për demonstratat e dhunshme në të gjithë vendin, udhëheqësit e shteteve u kritikuan ashpër nga presidenti.
“Shumica prej jush janë të dobët”, u tha presidenti, sipas një regjistrimi audiofonik të telefonatës. “Ju duhet të dominoni. Nëse nuk mbizotëroni, po humbni kohën tuaj. Ata do t’ju shkelin me këmbë; do të dukeni si një tufë budallenjsh”.
Presidenti Trump është duke u përballur me kritika për mosmarrjen e rolit tradicional presidencial të “krye-ngushëlluesit”, që kur vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ndërsa mbahej nga policia në Minneapolis, shkaktoi një rrjedhë agonie dhe zemërimi kombëtar.
Në vend të kësaj, presidenti ka kaluar kohën në Twitter duke sulmuar Biden-in dhe politikanë të tjerë demokratë, dhe duke i njehsuar me radikalët e majtë që ai fajëson për dhunën e ditëve të fundit.
Telefonata me Presidentin Trump të hënën ishte “thellësisht shqetësuese”, tha guvernatorja demokrate e Miçiganit Gretchen Whitmer.
“Në vend që të ofrojë mbështetje ose udhëheqje për të ulur temperaturën në protesta, Presidenti Trump u tha qeveritarëve që ta ‘shtypni’ ose do na ‘mposhtin’,” tha ajo në një deklaratë.
Rreth gjysma e guvernatorëve kanë aktivizuar tashmë njësitë e Gardës Kombëtare për të ndihmuar organet e zbatimit të ligjit në shuarjen e trazirave. Por më shumë ushtarakë janë të nevojshëm në rrugë, sipas presidentit.
“Ata janë të gatshëm, kanë dëshirën dhe aftësitë. Ata duan të luftojnë për vendin”, u tha Presidenti Trump guvernatorëve. “Do të doja të kishim një forcë okupuese prezente”.
Qyteti Los Angeles, konkretisht, “nuk është duke përdorur burimin më të mrekullueshëm që mund të përdorni”, tha Presidenti Trump për forcat ushtarake nën kontrollin e shtetit.
Presidenti Trump dhe Shtëpia e Bardhë po fajësojnë për dhunën një koalicion mes aktivistëve të së majtës së largët, të njohur si “antifa” (shkurtim i fjalës antifashist), anëtarët e të cilës bëjnë fushatë kundër asaj që i shikojnë si akte të autoritarizmit, homofobisë, racizmit ose ksenofobisë.
Presidenti republikan paralajmëroi më herët në Twitter se “kur plaçkitjet fillojnë, të shtënat fillojnë”. Presidenti Trump mohoi më vonë që fraza ishte një paralajmërim se vandalët do të qëlloheshin me armë dhe tha se nuk e dinte që shprehja ishte përdorur në mënyrë të dukshme nga shefi i policisë së Majamit në 1967 në përgjigje të kriminalitetit të dhunshëm në lagjet e afrikano-amerikanëve.
“Është një lëvizje që nëse nuk e shtypni, do të përkeqësohet dhe përkeqësohet”, u tha guvernatorët Presidenti Trump të hënën. “Këta janë radikalë dhe janë anarkistë.”
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, e pyetur gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me reagimin e guvernatores së Miçiganit, tha se ajo nuk e kupton pse Guvernatorja Whitmer do të shqetësohej që presidenti u thotë guvernatorëve të bëjnë punën e tyre.
Një tjetër demokrat, Guvernatori J.B. Pritzker i shtetit Illinois, i tha presidentit, “Unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar për retorikën që është përdorur nga ju. Është provokuese”.
Presidenti u përgjigj: “Edhe mua nuk më pëlqen shumë retorika juaj,” duke kritikuar përgjigjen e Guvernatorit Pritzker ndaj pandemisë së koronavirusit. “Sinqerisht mendoj se mund të kishit bërë një punë shumë më të mirë”.
Prokurori i Përgjithshëm William Barr u tha guvernatorëve, “ne duhet të kontrollojmë rrugët … dhe kjo kërkon një prani të fortë”.
Provokatorë profesionistë po kërkojnë të lëvizin nga shtetet e fortë drejt shteteve të dobët për të shkaktuar rrëmujë, tha zoti Barr, duke shtuar se kjo bazohej në raportet e shërbimeve të zbulimit.
“Të gjithë po kërkojnë pika të dobëta,” tha Presidenti Trump.”Duhet të arrestohen këta njerëz” dhe të burgosen për disa vite. “Këta janë terroristë. Ata janë antifa dhe e majta radikale”.
Presidenti Trump posaçërisht u bëri thirrje qytetit të Nju Jorkut dhe Filadelfias që “të ashpërsohen .”
Presidenti Trump tha se përgjigjja fillestare në Minesota ishte “e dobët dhe patetike”, por se Guvernatori i Minnesotas Tim Walz, një demokrat, meritonte lavdërime për dislokimin e Gardës Kombëtare, e cila rrëzoi demonstruesit “si kunjat e lojës bowling – një gjë e bukur për tu parë”.
Gjatë konferencës me telefon, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper u tha guvernatorëve se “sa më shpejt që të mbushni dhe mbizotëroni hapësirën e betejës, aq më shpejt do të shpërndahet kjo gjë”.
Një javë pasi Floydi, 46 vjeç, vdiq ndërsa mbahej nga policia dhe u filmua një oficer i bardhë i policisë që e shtypte në qafë me gjurin e tij për më shumë se 8 minuta, demonstratat paqësore janë lënë në hije nga dhuna urbane në mbarë Amerikën. Bizneset janë vandalizuar dhe plaçkitur, monumentet publike janë dëmtuar dhe oficerët e organeve të zbatimit të ligjit kanë qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, disa prej të cilëve kanë goditur policinë me tulla, fishekzjarre dhe qese me lëngje trupore.
Mijëra njerëz u arrestuan në demonstratat në mbarë Shtetet e Bashkuara të shtunën dhe të dielën.
Të hënën Kalifornia urdhëroi mbylljen e ndërtesave të qeverisë së këtij shteti në qendrat e qyteteve.
Në Çikago, dy njerëz u vranë gjatë demonstratave të hënën në zonën periferike Cicero dhe u arrestuan 60 persona, raportoi agjensia e lajmeve Associated Press.
Në Uashington, D.C., Kryebashkiakja Muriel Bowser u shtriu orarin e shtetrrethimit me katër orë, duke filluar nga ora 7 pasdite.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë McEnany tha për Presidentin Trump se, “ai e kupton dhimbjen” e demonstruesve të ligjshëm. Ajo shtoi se, “është vërtet një turp” që radikalët në rrugë po dëmtojnë mesazhin e protestuesve paqësorë.