Analistët e industrisë ajrore thonë se pandemia e koronavirusit ka lënë 16,000 aeroplanë pasagjerësh të parkuar në të gjithë botën. Disa prej tyre po përgatiten të rikthehen në punë ndërsa vendet fillojnë të heqin kufizimet ndaj udhëtimeve dhe të përgatiten për pushuesit verorë, megjithëse në numër shumë më të ulët se më parë. Në Spanjë, ku 14 për qind e ekonomisë varet nga turizmi, pritshmëritë janë veçanërisht të larta. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Alfonso Beato njofton nga qyteti mesdhetar spanjoll i Lloret de Marit.
Si shumë destinacione turistike në të gjithë Mesdheun, industria e turizmit në Spanjë është në gjendje të vështirë. Vala më e rëndë e kërcënimit nga koronavirusi duket se ka kaluar, dhe për shumë njerëz përgjatë bregdetit spanjoll, njoftimi nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez për rihapje ishte një lajm i shumëpritur.
“Që nga muaji korrik, hyrja e turistëve të huaj në Spanjë do të rinisë me kushtet e nevojshme të sigurisë.”
Lexo edhe: Zgjedhja e kreut të KLSH/ Ruçi i shkruan Metës, reagon presidenca
Kosta Brava në Mesdhe është një nga destinacionet më të njohura të turizmit në Spanjë. Lloret de Mar në Kataloni pret një milion turistë në vit.
Jaume Dulsat, kryebashkiak i Lloret de Marit.
“Njoftimi i qeverisë për lejimin e tursitëve nga korriku është një lajm tepër i mirë për destinacionet turistike si Lloret de Mari”, tha Jaume Dulsat, kryebashkiak i Lloret de Marit.
Si në vendet e tjera, edhe në këtë zonë autoritetet do të marrin masa për të shmangur infeksionet e mundshme dhe për të siguruar që pushuesit të jenë të shëndetshëm dhe të lumtur.
“Ne vendosëm ta ndajmë plazhin në tre zona: një për familje me fëmijë, një për njerëz të moshuar me qasje të lehtë dhe një tjetër për çifte ose grupe miqsh”, tha zoti Dulsat.
Për shkak se sezoni do të fillojë me vonesë, për shumë biznese të ardhurat nuk do të jenë të mira. Disa banorë nuk janë shumë optimistë.
“Do të kemi shumë humbje në biznes, vende pune dhe para”, thotë Jose Luis Bueno, banor i Lloret de Marit.
Ky rajon do të jetë në konkurrencë për turistët me Greqinë, Francën dhe pjesët e tjera të Spanjës. Të gjithë po punojnë shumë për të tërhequr turistë që duan të kalojnë pushimet në Mesdhe pas masave të ashpra kufizuese për koronavirusin.