Edi Rama është bërë sot njësh me ushtarin e tij të bindur Ardi Veliu duke justifikuar dhunën e policisë dhe duke iu kundërvënë “moralistëve” që e denoncuan atë. “Ata që predikojnë më shumë moral, dhe më shumë ligjësi morale në këtë vend, kam fatin t’i njoh siç kam fatin të njoh dhe drejtorin, midis të gjithëve unë zgjedh drejtorin, jo ata, më vjen keq“, tha Rama duke marrë anën e drejtorit të Policisë së Shtetit që nxori “videon me armë” të nënës së 15-vjeçarit të dhunuar nga policia në zonën e Liqenit Artificial.
Ardi Veliu, që u përpoq të relativizojë dhunën e policisë ndaj një 15-vjeçari, dhe më pas publikoi një video të nënës së tij duke luajtur rol si aktore në një film ku mbante revole në dorë, u portretizua kështu nga kryeministri: “Drejtori, për të cilin kam konsideratën më të lartë për integritetin, profesionalizmin e rezultatet e arritura, në këtë rast ka gabuar, pa diskutim. Drejtori ka gabuar, e them pa asnjë rezervë, ka gabuar, por jam më i prirur t’i besoj ndjesës së tij publike… pasi ishte një përpjekje e keqshpjeguar për të thënë që dakord të gjitha, por edhe familja ka përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirëedukimin e mirërritjen e brezit të ri… çështja për mua është e mbyllur”.
Lexo edhe: Rama mbron Ardi Veliun: Zgjedh drejtorin përballë moralistëve
Natyrisht që Rama nuk mund të sillej ndryshe për rastin e Ardi Veliut. Ai shkarkoi vetë shefin e komisariatit që ishte treguar liberal me ndalimin e njerëzve për të dalë nga liqeni. Dhuna ndaj 15-vjeçarit Çobo ndodhi vetëm një ditë pas kësaj.
Së dyti, ai ka bërë vetë gafa të ngjashme me drejtorin e policisë, kur publikoi pamje të policisë algjeriane të shitur si polici spanjolle duke justifikuar dhunën.
Së treti ai, në këto momente të vështira, nuk shet asnjë militant që është i gatshëm të shkelë ligjin për të.
Prandaj Rama iu kundërvu mbarë opinionit publik duke mbrojtur një satrap injorant.
Pasi pa këtë intervistë skandaloze, reagoi edhe nëna e adoleshentit të dhunuar Zaida Çobo: “Filmi është “Dashuria nuk mjafton” e regjisorit të madh Drilon Hoxha, që ka bërë bujë. Nga një anë të vjen keq, por edhe për të qeshur për reagimin e tyre. Unë jam duke e ndjekur këtë çështje me struktura më lart se policia. Unë e kam thënë në intervistat e mia që ndihem e kërcënuar”.
Disa ditë më parë, në 15 maj opinioni u trondit nga dhuna që disa oficerë policie ushtruan mbi një të ri pse kishte dalë për shëtitje.
Në videon që u publikua nga JOQ Albania, dallohen dy uniformat blu që i shtrëngojnë me dhunë përtokë fytyrën të riut, ndërsa e qëllojnë edhe me shpullë.
Më pas e ngrenë atë dhe e shoqërojnë drejt makinës, ndërsa njëri prej policëve vijon ta dhunojë duke e qëlluar në shpinë.
Pasi plasi skandali në rrjetet sociale polici me iniciale G. H., pjesë e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr. 2, u pezullua dhe ndaj tij filluan hetimet. Por bashkë me të, për të larë fytyrën, policia gjobiti edhe adoleshentin e dhunuar.
“Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale dhe të dhunshme të disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një të mituri, i cili sipas raportimeve paraprake po lëvizte jashtë orarit të lejuar për shkak të masave kufizuese të marra në kuadër të gjendjes së pandemisë. Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit”, deklaroi pas kësaj ngjarjeje presidenti Meta.
Por, një pushtet i mësuar me skandale nuk do t’ia dijë për këto. Ardi Veliu me idiotësinë e tij është përpjekur për të justifikuar dhunën ndaj adoleshentit, ndërsa Rama sot, është munduar të relativizojë gomarllëkun kafshëror të kryepolicit të tij: “Nuk bëhet fjalë për shkarkim, unë jam me të”, deklaroi kryeministri./lapsi.al