Nga Artan Hoxha
Ardi Veliu gaboi, e kuptoi gabimin, kërkoi ndjesë publikisht, u vlerësua në tërësinë e tij pozitiv, s’mund të ndëshkohej për këtë gabim keqkuptimi, aq më pak për hatër të moralistëve të mexhelisit, u fal. Kështu foli Kryeministri tri ditë pas ngjarjes. I vuri kapak me të veten.
Kryeministri tha se Ardi Veliu gaboi. Ai nuk paskërka pasur fare qëllim të mbrojë e relativizojë dhunën e policëve të vet ndaj djaloshit 15-vjeçar. Qëllimin e paskërka pasur të mirë. Thjesht e vetëm të na kumtonte se ‘…edhe familja ka përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirërritjen e brezit të ri…’. Pra, sipas kryeministrit paska plot njerëz që nuk e dinë këtë gjë e u dashkërka Ardi Veliu, me videon e tij demonstruese të nënës me pistoletë, t’ua kujtoje!
Kryeministri e quajti një gabim shprehjeje, çështje stili a teknike pra, e jo ashtu siç ishte – një agresion vulgar publik ndaj personalitetit të një nëne që, ndërkohë po vuan shpirtërisht dhunën policore mbi djalin e saj, që ndihet e kërcënuar ndërsa po përpiqet për të drejtën e saj – kërkimin e ndëshkimit të policëve dhunues – e ndërsa ndihet e kërcënuar në këtë përpjekje, në vend që t’i jepet mbrojtje, sulmohet publikisht, ashpër e papritmas nga vete kryepolici.
Ndjesa nuk u kërkua. Mbrojtja nuk u dha. Ajo ç’ka u quajt ndjesa e Ardi Veliut, siç rreket të thotë edhe Kryeministri, nuk ishte ndjesë as për djalin, as për nënën dhe as ndaj kujtdo që u lebetit a u revoltua qoftë nga video e dhunës policore mbi djaloshin e qoftë nga komenti i ilustruar me video i Ardi Veliut në Komisionin Parlamentar të Rendit dhe Sigurisë për nënën e tij.
Leximi i tekstit të të ashtuquajturës ndjesë veç te ndjesa nuk të çon. Në fakt, me atë tekst gjoja ndjese, Ardi Veliu ripërsëriti sulmin. Ai shprehu keqardhjen që sulmohet qëllimshëm policia, keqardhjen që fjala e tij është deformuar dhe nxjerrë qëllimshëm nga konteksti, se ai paska dashur të thotë se punonjësi i policisë nuk duhet dënuar vetëm nga një foto e rastit, veç nga fundi, ai kujtohet e kërkon ndjesë, por vetëm ‘…nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim…’. Tekstin e plotë të ‘ndjesës’ së Ardi Veliut e gjeni në fund të shkrimit, marrë nga shqiptarja.com.
Gjithsesi, pranim gabimi dhe kërkim ndjese pati. Natyrisht, jo për djalin dhe nënën e tij. Zonja në fjalë e rideklaroi në medie që nuk ka marrë ndjesë e vijon të kërkojë të drejtën e saj për dhunën ndaj djalit, tashmë edhe për veten e saj me padinë gjyqësore të depozituar sot ndaj Ardi Veliut për cenim të nderit dhe dinjitetit.
Pranimi i gabimit dhe kërkimi i ndjesës nga Ardi Veliu ka qenë vetëm per Kryeministrin. Ai e dëgjoi, u mendua, e fali. Ardi Veliu do të bëhet edhe më i zellshëm paskëtaj. Mjerë kundërshtarët e Kryeministrit.
***
Deklarata e Ardi Veliut marrë nga shqiptarja.com pasi doli që video ishte skenë filmi.
‘Jam i keqardhur që Policia e Shtetit bëhet rregullisht shënjestra e atyre që kurrë nuk e thanë një fjalë motivuese për të dhe sot përsëri e njëjta gjë. Ndërkohë që ne jemi organizata më rigoroze në goditjen e fenomeneve brenda vetes, mjafton që një punonjës i ynë të bëjë një gabim dhe megjithëse ndëshkohet në radhë të parë prej nesh, prapëseprapë goditja vijon ndaj Policisë së Shtetit. Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj. Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet. Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate. Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të. Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq.Por në fund dëshiroj t’u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë ‘krim’ të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë çka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim. Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona. Ndjesë nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time’..syri.net