Analiza në DW/ Qeveria e re e Kosovës, levë për një marrëveshje me Serbinë

0

Në Kuvendin e Kosovës u votua qeveria e re e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Qeveria e Albin Kurtit, edhe pse sipas anketave të fundit ka ende një mbështetje të madhe nga qytetarët, u zëvëndësua nga një qeveri e re, që do të ketë për synim kryesor arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Kështu që akoma pa filluar punën, për të flitet si për “qeverinë e dialogut”.

Reciprociteti prioritet edhe i qeverisë së re

Heqja e taksave pa ndonjë kusht tjetër do të kishte qenë vendim politik shumë i kushtueshëm për Kurtin, por heqja e reciprocitetit që vendosi qeveria e Kurtit duket se mund të jetë një vendim edhe më i shtrenjtë për koalicionin e Avdulah Hotit.

Në ditët e fundit të qeverisjes së saj, qeveria në largim e Kosovës ndaloi importin e produkteve serbe, të cilat në dokumentet shoqëruese nuk përmbajnë “Republika e Kosovës”. Pra në mënyrë simbolike, për qeverinë e re të Kosovës, heqja e vendimit për përcaktimin “Republika e Kosovës” në dokumentet në tregtinë mes dy vendeve, do të jetë edhe më e vështirë sesa heqja e taksave 100 përqind.

Megjithatë aktivisiti nga Strpçe, Milos Milovanoviç, beson që herët apo vonë kjo do të ndodhë. Ai mendon se qeveria e re do të jetë më e hapur sa i përket dialogut, duke shtuar se rrethana e tanishme me pandeminë apo zgjedhjet dhe formimi i një qeverie të re në Serbi, do t’i japin hapësirë dhe kohë qeverisë së re të Kosovës të marrë vendime.

“Kjo do të japë qeverisë së Avdulah Hotit kohë të mjaftueshme, që të mund të tërheqë ngadalë vendimet e qeverive të mëparshme që penguan vazhdimin e dialogut, por edhe për të krijuar një narrativë, në të cilën dialogu do të paraqitet si i nevojshëm në kontekstin e marrëdhënieve të mira të Prishtinës me BE dhe SHBA”, thotë Millovanoviç.

Donika Emini, drejtore e Platformës “CiviKos”, beson që Hoti do të shfuqizojë masat e reciprocitetit, nën pretekstin e shpëtimit të partneriteteve strategjike.

“Qeveria e re po formohet vetem me një qëllim – që të hapë rrugën për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Deri sot qeveria e re ka qenë e paqartë kur është pyetur për programin e saj dhe listën e prioriteteve, por tashmë ka konfirmuar se dialogu do të jetë prioriteti i tyre kryesor, i cili paraqitet si mision për të rivendosur marrëdhëniet tani më të dëmtuara me SHBA dhe BE”, tha Emini për DW.

“Pas marrëveshjes me Serbinë, qeveria do të bjerë e do të hapet rruga për zgjedhje të reja.”

Milovanoviç beson se anulimi i vendimeve të qeverisë Kurti varet drejtpërdrejt nga stabiliteti i qeverisë së ardhshme: “Vendimet e shpejta mund të kenë kosto të larta politike për LDK-në, sepse në një farë mënyre do të konfirmojnë narracionin që interesat personale dhe lajkat partiake ishin motivet kryesore për prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Kurti,” tha Milovanoviç për DW.

Emini parashikon gjithashtu një qeveri të dobët dhe një opozitë të fortë: “Qeveria do të jetë shumë e dobët, nuk do të ketë fuqinë për të lëvizur gjërat përpara dhe do të jetë edhe më e dobët në parlament. Pritet që ajo do të jetë vetëm levë për të arritur një marrëveshje me Serbinë, pas së cilës do të bjerë dhe kështu do të hapet rruga për zgjedhje të reja.”

Hap prapa për Kosovën

Ndërkohë që e ardhmja e afërt për qeverinë e re duket e ndërlikuar, Vetëvendosja mund të përfitojë nga e gjithë situata, sipas doktor Aidan Hehiriz, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster.

“Vetëvendosja ka ende shumë mbështetje nga qytetarët dhe duhet të jetë në gjendje të përdorë të metat e shumta të koalicionit të LDK-së, si në rrugë ashtu edhe në Kuvend. Fryma e ndryshimit që ka krijuar tek njerëzit nuk po zvogëlohet dhe publiku e ka shprehur qartë që mbështet agjendën e Vetëvendosjes “, vlerësoi Hehir për DW.

Para marrjes së pushtetit nga Vetëvendosja shqetësimi kryesor ishte aftësia e tyre për të qeverisur, duke patur parasysh që partia kishte qenë vetëm në opozitë që nga themelimi. Dyshime të tilla nuk ka më, beson Hehir.

“Vetëvendosja ka zhbërë të gjitha dyshimet, me aftësitë e saj për të drejtuar në mënyrën kompetente qeverinë, ndërsa garda e vjetër dhe mbështetësit e tyre të huaj kanë mësuar se si rrëzohet një qeveri. Rënia e qeverisë është një hap prapa për Kosovën, por gjithashtu ka zbuluar shumë qartë se në çfarë mase është i kapur vendi. Në mënyrë paradoksale, kjo mund të përshpejtojë fundin e elitës së vjetër të korruptuar,” beson Hehir. /DW

Artikulli i mëparshëmKulisat e reformës/Ç’ndodhi për 9 orë pas dyerve të mbyllura të ambasadës së SHBA
Artikulli i radhësPartizani i shtati, Sormani vazhdon avazin: “Luajtëm më mirë, meritonim fitoren”