Policia e Lezhës ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në orët e pasdites, ku një patrullë policie ka dalë nga rruga gjatë ndjekjes së një automjeti ku dyshohet se udhëtonte një person i shpallur në kërkim.
Sipas Policisë ndryshe nga sa u raportua në fillim për ngjarjen, nuk ka policë të aksidentuar.
Sipas bluve të Lezhës, në aksin rrugor dytësor Lezhë-Zejmen, në fshatin Spiten, Lezhë gjatë ndjekjes së automjetit me targa AA262UJ, në të cilin dyshohej se udhëtonte një person i armatosur, ka dalë nga rruga automjeti i autopatrullës “Shqiponja”, Hunday, me targa AA911VE, me drejtues punonjësin e policisë Inspektor Klisman Nikolli.
Nga raportimi i Policisë, thuhet se nuk ka persona të lënduar ndërkohë si drejtues i mjetit me targa AA262UJ është identifikuar shtetasi Lekë Përjaku banues në Spiten i cili është larguar nga vendngjarja dhe po punohet për kapjen e tij.
Ndërkohë, burime nga terreni raportojnë se më herët ka pasur të shtëna me armë zjarri, midis policisë dhe shtetasit Lek Perjaku.
Informacioni paraprak i Policisë
“Më datë 04.06.2020, ora 17.10, në aksin rrugor dytësor Lezhë – Zejmen, në fshatin Spiten, Lezhë gjatë ndjekjes së “automjetit me targa AA262UJ, në të cilin dyshohej se udhëtonte një person i armatosur, ka dalë nga rruga automjeti i autopatrullës “Shqiponja”, Hunday, me targa AA911VE, me drejtues punonjësin e policisë Inspektor Klisman Nikolli.
Nuk ka persona të dëmtuar ka vetëm dëme materiale. Si drejtues i mjetit me targa AA262UJ është identifikuar shtetasi Lekë Përjaku banues në Spiten. Po punohet për kapjen e tij. Në vendngjarje janë shërbimet e policisë po kryejnë veprimet proceduriale”, njofton Policia.