Rastësitë nuk janë gjithmonë të pafajshme. Në të njëjtën ditë që diplomatët e lartë amerikanë kanë përshëndetur rrëzimin e një qeverie të dalë nga zgjedhjet dhe zëvendësimin e saj në Prishtinë, nga një kabinet laraman kulisash, po të njëjtën, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, lavdëroi regjimin e Tiranës dhe e la topin e fajit në fushën e opozitës.
Koincidenca e djeshme është vetëm epilogu i një ndryshimi radikal të sjelljejes së amerikanëve. Prej muajsh në Kosovë ata kanë shantazhuar kryeministrat për heqjen e taksës, kanë kërcënuar me largimin e trupave nga baza e Bondsteel apo me ndërprerjen e ndihmës ekonomike. Rezultat i kësaj qenë sjelljet prej kaubojsi të emisarit special për dialogun, Rik Grenell, i cili është cilësuar në mbarë shtypin europian si sponzorizuesi kryesor i mocionit që përmbysi qeverinë Kurti, vetëm pas 45 ditësh qeverisjeje. Pothuajse në mënyrë unanime, nga specialistët e rajonit dhe nga gazetarët perendimorë, kjo sjellje që kërkonte nga Prishtina të gjitha lëshimet, pa kërkuar nga Beogradi asnjë të tillë, është parë e lidhur më shumë me zgjedhjet presidenciale të nëntorit të ardhshëm në SHBA, sesa me interesin e kosovarëve që nuk kanë një nevojë urgjente për marrëveshje me Serbinë.
Pra, kjo politikë e shkopit para asaj të karrotës, është shumë larg imazhit të vendit që futi në lojë dy dekada më parë ushtrinë e tij, për një kauzë humanitare, para atij që njohu pavarësinë në 2008 dhe që është angazhuar për një shoqëri demokratike, ku ish komandantët e kriminalizuar dhe politikanët që e kanë të shkruar në ballë korruptimin, nuk mund të shërbejnë si simbole të së ardhmes.
Diplomacia arrogante e Grenellit u mbështet pikërisht tek kjo pjesë për të arritur qëllimin e saj të shpejtë dhe rezultatet e asaj katastrofe tani i kemi të gjithë para syve.
Në të nëjtën mënyrë, siç është afishuar pro regjimit të diskredituar në Prishtinë, diplomacia amerikane po vepron edhe në Tiranë. Asocimi me sistemin monist të Edi Ramës është më i fortë se kurrë në këto 30 vite demokraci. Pavarësisht nëse rolin e violinës së parë mund ta luajë aty Grenell dhe këtu Palmer, rezultati është i njëjtë.
Kurrë diplomatët që merren me Shqipërinë nuk thanë asnjë fjalë për mbjelljen dhe trafikimin e narkotikëve, megjithëse në dokumentat e publikuara të adminitratës Amerikane jemi etiketuar si vend kryesor në kultivimin e kanabisit dhe rrugë e rëndësishme në tranzitimin e drograve të forta. Përkundër këtyre, ambasadori Lu e quante betejën e Saimir Tahirit me hashashin, një histori suksesi.
Kurrë ata nuk thanë asgjë për dosjet e vjedhjes së votës të publikuara nga BILD, madje mbështetën deri në fund prokuroret e jashtëligjshme dhe militante si Arta Marku dhe Donika Prela, që u pilotuan për t’i varrosur ato.
Ndonëse Këshilli i Europës i bojkotoi dhe më pas raporti i ODHIR-it, i nxiu krejtësisht, ata i mbështetën zgjedhjet moniste të 30 qershorit.
Ndonëse Komisioni i Venecias i telendisi keq përpjekjet e mazhorancës për të kapur Gjykatën Kushtetuese, Ambasada e SHBA e mbështeti si hap përpara procesin, që përfundoi me betimin e Arta Vorpsit buzë Lanës.
Ndonëse sondazhe serioze po tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit të publikut tek reforma në drejtësi, si pasojë e kapjes nga pushteti, ambasadorja aktuale vazhdon të këmbëngulë, me kokfortësi, se ai është një proces që duhet të ecë përpara kështu siç ka nisur.
Ndonëse shumica e homologëve të saj perendimorë e dënuan krimin barbar dhe shkeljen bashkë të disa ligjeve, në shembjen e Teatrit Kombëtar, nga shefja e selisë së rrugës së Elbasanit nuk u tha asnjë fjalë.
Pra, nëse për arsyet dhe qëllimet mund të spekulohet, një gjë është e qartë: ndryshe nga imazhi vendit të lirive dhe idealit demokratik, që popullsia shqiptare përkund në kokë për SHBA-në, këtej nga anët tona përfaqësuesit e saj po sillen si aleatë të regjimit të Edi Ramës dhe të kapësve të shtetit të Hashim Thaçit. Është e kotë të hamendësosh nëse kjo bëhet në emër të lidhjes pragmatike me më të fortin, nëse pas saj qëndron interesi i mbrapshtë i coptimit të kufijve të Kosovës, por një gjë duket sheshit, ajo nuk përputhet aspak me idilin e “soft power” amerikan që ne kemi të ngulitur në kokë.
Ky koncept i pushtetit të butë, i teorizuar nga profesori i Harvardit, Joseph Neye, që ka të bëjë me fuqinë atraktive të vendit të lirive dhe me forcën e tij për të bindur të tjerët përmes shembullit dhe jo përmes metodave të dhunshme apo kërcënimeve, ka qenë një kredo tek e cila një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë besuar fort. Kjo ishte ndoshta edhe arsyeja se përse një popull i dalë nga lëngimi i një diktature të gjatë, ka pranuar të cilësohet në mënyrë cinike si më pro amerikani i kontinentit. Amerika e New Deal të Rusveltit, Amerika e planit Marshall, Amerika e rrëzimit të murit të Berlinit, por edhe Amerika e luftës së Kosovës apo e anëtarësimit të Shqipërisë në Nato, e kanë përkundur gjatë, në memorien tonë kolektive, idealin e një vendi që të bën ta duash për modelin, më shumë sesa për fuqinë e tij.
Por në kohët e fundit, në raport me shqiptarët, magjisë së soft power, po ia lë vendin e kundërta e tij. Pushteti për të bindur po këmbehet me shantazhin (siç u veprua kundër Albin Kurtit). Afishimi me vlerat e lirisë po zëvendësohet me kërcënimin (si në rastin e polemikës së Yuri Kim me protestuesit antiqeveritarë që valvisin flamurin amerikan). Aspirata demokratike, po zëvendësohet me real politikën (mbështetja pa kushte e krimeve të Ramës).
Dhe të gjitha këto po kontribuojnë, pak nga pak, për krisjen e idilit amerikan që shqiptarët mbanin të ngulitur në kokat e tyre. Prandaj sot pyetja që duhet bërë, është: a ia vlen? A kushtojnë personazhe kalimtare si Thaçi dhe Rama, sa ndryshimi i imagjinatës së një populli të tërë? Kjo është një llogari që duhet bërë. Dhe jo detyrimisht hesapi i saj mund të rezultojë negativ. Se në më të keqen e tij, ai mund të na shërbejë për t’u çliruar nga një mit që nuk ekziston më./Lapsi.al