Me afrimin e projektbuxhetit të vitit 2027, bizneset po shtojnë presionin ndaj qeverisë për më shumë lehtësi fiskale. Në tavolinën e Ministrisë së Financave kanë mbërritur kërkesa konkrete për ulje taksash, rishikim tarifash dhe mbështetje direkte për investimet, në një kohë kur ekzekutivi po paralajmëron një buxhet që, sipas qeverisë, do të kalojë 10 miliardë euro.

Çfarë po kërkojnë bizneset nga paketa fiskale 2027
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i ka dorëzuar Ministrisë së Financave propozimet për paketën fiskale të vitit të ardhshëm, me fokus te rishikimi i barrës tatimore për sektorët prodhues dhe përpunues.
Ndër kërkesat kryesore renditen ulja e TVSH-së për agropërpunimin në nivelin 5 deri në 7%, TVSH zero për fertilizantët dhe përjashtimi nga TVSH në import për makineritë e përdorura në industrinë prodhuese dhe sektorin e energjisë. Po ashtu kërkohet lehtësim i tarifave doganore për lëndët e para, rimbursim i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse, si edhe rritja nga 20 në 40% e normës së amortizimit fiskal për makineritë dhe pajisjet.
Manifaktura kërkon më pak kosto dhe më shumë mbështetje
Në të njëjtën linjë është edhe Shoqata “Manifaktura Shqiptare”, e cila propozon harmonizimin e pragut të patatueshëm të pagave me pagën minimale, uljen e kostove të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit dhe përjashtimin nga tatim-fitimi të fitimeve të riinvestuara në aktivitetin prodhues.
Shoqata kërkon gjithashtu një skemë të posaçme grantesh për teknologjinë, automatizimin dhe modernizimin industrial. Kjo kërkesë vjen në një moment të vështirë për sektorin, pasi sipas të dhënave të INSTAT, eksportet në shtatë muajt e parë të vitit ranë në 648 milionë euro, nga 703 milionë euro në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Buxheti mbi 10 miliardë euro dhe pritja për reflektim real
Projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin 2027 pritet të publikohen në fund të tetorit. Sipas qeverisë, buxheti i ri do të jetë mbi 10 miliardë euro dhe do të ketë fokus te shëndetësia, infrastruktura, mbrojtja dhe mbështetja sociale.
Pikëpyetja mbetet nëse kërkesat e bizneseve do të përkthehen në masa konkrete apo do të mbeten pjesë e konsultimeve formale. Në këtë fazë, kërkesat janë depozituar, por vendimmarrja mbetet në dorën e qeverisë dhe të paketës që do të dalë përfundimisht për miratim.
Debati për taksat dhe shpërndarjen e parave publike po hyn kështu në fazën vendimtare të vjeshtës, me sektorin privat që kërkon ulje kostosh dhe ekzekutivin që pritet të paraqesë prioritetet e veta fiskale.
Për bizneset prodhuese dhe eksportuese, testi real nuk do të jetë te premtimet për buxhet rekord, por te masat konkrete që do të përfshihen në paketën fiskale 2027.
