Ka përfunduar ditën e sotme procesi i licensimeve për klubet kandidate për pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s në sezonin 2020-2021. Komisioni i Licensimit të Klubeve, pasi ka shqyrtuar në detaje të gjithë dosjet e skuadrave të meshkujve dhe femrave, ka marrë vendimet përfundimtare të cilat i janë komunikuar klubeve kandidate: “Klubeve i është kërkuar të mos bëjnë publik vendimin e marrë nga Komisioni në mënyrë që vendimi të mos ndikojë në garë” shkruhet në komunikatën e FSHF-së. Kështu, deri në përfundim të kampionatit askush nuk do të dijë nëse skuadrat me renditjen që të con në zonën Europiane do të përfaqësojnë vendin në kompeticionet e UEFA-s, duke filluar nga Tirana kampione, që një vit më parë dështoi të merrte licensimin.
Pas përfundimit të kompeticioneve, Federata Shqiptare e Futbollit do të informojë grupet e interesit dhe opinionin publik mbi skuadrat që janë licensuar dhe ato klube që nuk kanë plotësuar kriteret e licensimit e i është refuzuar aplikimi.
Risia e këtij viti në procesin e licensimit është se janë përfshirë dhe skuadrat e Vllaznisë dhe Apolonisë nga futbolli i femrave. Shqipëria do të përfaqësohet sezonin e ardhshëm në UEFA Champions League, UEFA Europa League, UEFA Women’s Champions League dhe UEFA Youth League me 6 skuadra.