Demo i Ramës apo Demo i Rushit: Gjashtë policë meritojnë solidaritet, studentët e gjakosur as një fjalë

0

Ervin Demo paska zbuluar sot një talent të ri: të flasë për dhunën ndaj policisë pa përmendur dhunën policore.

Në mes të një Tirane të mbushur me gaz lotsjellës, ujë me presion, studentë të shoqëruar dhe pamje të ndërhyrjeve të ashpra të uniformave blu, ministri i Brendshëm i Edi Ramës doli me një deklaratë që mund të ishte shkruar fare mirë nga ndonjë ambasadë e huaj.

“Kontribuoni në uljen e tensioneve”, na thotë ministri.

Por kush duhet t’i ulë tensionet, zoti Demo? Studentët që protestojnë apo institucioni që ju keni përgjegjësinë politike të mbikëqyrni?

Në deklaratën e tij, ministri gjeti hapësirë për gjashtë policët e plagosur, për familjet e tyre, për solidaritetin dhe për mbështetjen e plotë.

Për studentët e lënduar, asnjë fjalë.

As për pamjet e policëve që godasin protestuesit. As për përdorimin e forcës. As për verifikimin e veprimeve të uniformave blu.

Për ministrin, gjaku i policëve meriton deklaratë. Gjaku i studentëve nuk meriton as një fjali.

Ndërkohë, debati publik po zhvendoset me një lehtësi të jashtëzakonshme te xhamat e thyer të Ministrisë së Arsimit.

Xhamat!

Sikur aty të ishte problemi më i madh i Shqipërisë.

Sikur një xham i thyer të vlente më shumë sesa pyetja nëse një qytetar është goditur padrejtësisht nga polici që paguhet me taksat e tij.

Një godinë publike mund të riparohet. Një xham mund të zëvendësohet. Por përgjegjësia e shtetit ndaj qytetarëve të vet nuk mund të fshihet pas faturës së një xhamllëku.

Dhe këtu qëndron hipokrizia e deklaratës së Demos.

Ministri dënon goditjen e policëve, por nuk merr përsipër as të kërkojë hetimin e pretendimeve për dhunë të tepruar nga policia.

Flet për profesionalizëm ndërsa qytetarët shohin pamjet e ndërhyrjeve në rrugë.

Flet për përmbajtje, por nuk shpjegon se ku ishte përmbajtja në rastet e raportuara të goditjes së protestuesve.

Flet për të drejtën e protestës, por nuk thotë çfarë do të bëjë për të garantuar që kjo e drejtë të mos cenohet nga vetë institucioni që drejton politikisht.

Ervin Demo nuk është ambasadori i OSBE-së. Nuk është ndërmjetësi mes studentëve dhe policisë. Është ministri i Brendshëm.

Dhe një ministër nuk mund të fshihet pas fjalëve të bukura për qetësi, kur pyetjet kërkojnë përgjigje konkrete.

Cilët dhanë urdhrat për përdorimin e forcës? A ishte ajo proporcionale? A do të hetohen rastet e dokumentuara në video? A do të ketë përgjegjësi për çdo tejkalim të kompetencave?

Këto janë pyetjet që duhet t’i përgjigjet ministri.

Jo të na recitojë deklarata paqeje, sikur po ndjek ngjarjet nga një kontinent tjetër.

Sepse demokracia nuk matet me numrin e xhamave që mbeten të paprekur pas një proteste. Matet edhe me mënyrën se si shteti trajton qytetarët kur ata i kundërvihen pushtetit.

Dhe nëse një ministër gjen fjalë vetëm për plagët e njërës palë, heshtja e tij për palën tjetër bëhet çështje politike më vete.

Demo i Ramës mund të vazhdojë të flasë si diplomat. Por sot qytetarëve u detyrohet një përgjigje si ministër.

Sepse xhamat e Ministrisë së Arsimit mund të ndërrohen që nesër.

Besimi te një shtet që duhet të mbrojë qytetarin edhe kur ai proteston kundër tij, rikthehet shumë më vështirë.

Artikulli i mëparshëmTirana protest escalates in the center: furniture burned and fires set in the streets
Artikulli i radhësMarta Kos: Shqipëria synon t’i mbyllë kapitujt deri në 2027, mbyllet Kapitulli 20