
Pamjet nga protesta e studentëve në Tiranë ngrenë dyshime serioze për mënyrën e ndërhyrjes ndaj qytetarëve dhe për identitetin e personave që marrin pjesë në operacionet e forcave të rendit.
Pranë zonës së “Kafes Flora”, një protestues me flamurin shqiptar mbi shpatulla shihet teksa tërhiqet zvarrë dhe goditet nga disa persona gjatë ndërhyrjes policore.
Personat që veprojnë me veshje civile duhet të identifikohen. Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush po ushtron forcë ndaj tyre dhe me çfarë autoriteti.
Nëse janë punonjës policie, duhet të bëhet publik identiteti i tyre institucional, struktura ku shërbejnë dhe baza ligjore e ndërhyrjes. Nëse nuk janë efektivë, autoritetet duhet të shpjegojnë menjëherë praninë dhe veprimet e tyre.
Një person që paraqitet si polic, por nuk identifikohet, nuk mund të kërkojë bindje të pakushtëzuar vetëm mbi bazën e pretendimit se përfaqëson shtetin.
Qytetarë, mbroni veten nga çdo agresion i paligjshëm, ruani distancën, dokumentoni dhunën dhe kërkoni identifikimin e personave që ndërhyjnë ndaj jush.
Ministri i Brendshëm Ervin Demo nuk mund ta kalojë këtë situatë me deklarata të përgjithshme për uljen e tensioneve.
Pyetjet janë konkrete: Kush i ka urdhëruar ndërhyrjet? Kush janë personat me veshje civile? A janë respektuar procedurat ligjore? Kush do të mbajë përgjegjësi për goditjet e pajustifikuara ndaj protestuesve?
Shteti nuk mund të kërkojë respektimin e ligjit nga qytetarët, ndërkohë që refuzon të japë llogari për mënyrën se si e ushtron forcën ndaj tyre.
