Një raportim i revistës amerikane Mother Jones ka ngritur dyshime mbi mënyrën se si Sali Berisha siguroi pjesëmarrjen në një aktivitet republikan në Dallas dhe aksesin për takime e foto me figura të larta të kampit të Donald Trump. Çështja bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se Berisha ishte shpallur në vitin 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit si i përfshirë në “korrupsion të konsiderueshëm”, ndërsa hyrja e tij në SHBA ishte bllokuar deri në dhënien e një përjashtimi të mëvonshëm.

Pjesëmarrje në Dallas mes paqartësive për ftesën dhe aksesin
Sipas shkrimit, Berisha mori pjesë në një aktivitet të republikanëve për zgjedhjet e mesmandatit, i zhvilluar muajin e kaluar në Dallas, ku publikoi foto me emra të njohur të administratës dhe politikës republikane, mes tyre Todd Blanche, Stanley Woodward, Mehmet Oz, Joe Gruters, James Lankford, Mike Rogers dhe Ben Shapiro.
Mother Jones thekson se mbetet e paqartë se çfarë roli konkret kishte Berisha në aktivitet dhe si u organizua prania e tij. As Departamenti i Drejtësisë, as Komiteti Kombëtar Republikan, as organizatorë të lidhur me eventin nuk dhanë sqarime për pyetjet e ngritura mbi këtë pjesëmarrje.
Nga “non grata” te përjashtimi i vizës
Në qendër të raportimit është statusi i Berishës në raport me SHBA-në. Në vitin 2021, Departamenti i Shtetit e shpalli atë “persona non grata” për shkak të pretendimeve për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm. Berisha i mohon akuzat.
Sipas Mother Jones, administrata Trump ndryshoi qasje disa muaj më parë dhe i dha Berishës një përjashtim nga kufizimi i vizës, duke i hapur rrugë udhëtimit në SHBA. Megjithatë, Departamenti i Shtetit nuk ka konfirmuar se përcaktimi i vitit 2021 është hequr, ndërsa njoftimi zyrtar për atë masë mbetet ende publik.
Lobimi, kontratat dhe paratë pas operacionit politik
Raporti ndalet edhe te rrjeti i konsulentëve dhe kontratave të lidhura me Partinë Demokratike. Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, partia e Berishës punësoi Chris LaCivita, Tony Fabrizio dhe Paul Manafort si këshilltarë elektoralë. Sipas deklarimeve të raportuara, kompania e LaCivita-s përfitoi mbi 1.6 milionë dollarë për këtë punë.
Mother Jones shkruan gjithashtu se PD ka angazhuar kompaninë Continental Strategy LLP për të lobuar për heqjen e përcaktimit të Departamentit të Shtetit ndaj Berishës. Kjo kontratë, sipas raportimit, kap vlerën 750 mijë dollarë dhe pagesat janë kryer përmes një marrëveshjeje që përfshin organizatën “Make Albania Great Again Foundation”, një strukturë që ka ngritur pikëpyetje për origjinën e fondeve.
Berisha e përdor vizitën si kapital politik
Vetë Berisha i paraqiti takimet në Dallas si të rëndësishme politikisht dhe pretendoi se kishte informuar zyrtarë amerikanë mbi atë që ai e quan “narkoshtet” në Shqipëri. Ai akuzoi publikisht kryeministrin Edi Rama për lidhje me trafikun e drogës, akuza që Rama i ka mohuar.
Nga ana tjetër, raporti vëren se fotot me zyrtarë të lartë republikanë i japin Berishës një imazh afërsie me administratën Trump në një moment kur ai vijon të përballet me akuza penale në Shqipëri dhe me kufizime të tjera ndërkombëtare, përfshirë ndalimin e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Përtej propagandës së zakonshme politike, raportimi ngre një pyetje thelbësore: kush e mundësoi realisht hyrjen dhe aksesin e Berishës në një aktivitet kaq të kushtueshëm dhe të kontrolluar politikisht? Deri tani, përgjigjet zyrtare mungojnë.
Në mungesë të transparencës nga palët e përfshira, vizita në Dallas mbetet jo thjesht një episod fotografish politike, por një çështje me interes publik për shkak të lidhjeve me lobimin, statusin e Berishës në SHBA dhe burimin e financimeve që mundësuan këtë operacion.
