
Historia duket sikur po përsëritet, vetëm se këtë herë jemi në vitin 2026 dhe jo në diktaturën komuniste.
Edi Rama, pasardhës i familjes së Spiro Kolekës, ish-anëtarit të Byrosë Politike të regjimit të Enver Hoxhës, ka paralajmëruar se studentët që përfshihen në dhunë ndaj policisë nuk do të përfitojnë më arsim falas, ndërsa familjet e të miturve do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara.
Por kush e përcakton fajësinë? Kryeministri nga podiumi apo gjykatat e Republikës?
Dikur, në Shqipërinë komuniste, biografia politike dhe qëndrimi ndaj Partisë mund të përcaktonin nëse një i ri kishte të drejtë të studionte, të punonte apo të ndërtonte të ardhmen e tij.
Sot, pas 35 vitesh pluralizëm, një kryeministër paralajmëron pasoja mbi arsimimin e të rinjve pikërisht në kulmin e protestave kundër qeverisë së tij.
Çfarë ironie historike! Të rinjtë protestojnë për një arsim dhe një të ardhme më të mirë, ndërsa qeveria u përgjigjet me paralajmërime për humbjen e përfitimeve arsimore.
Askush nuk është mbi ligjin. Kush ushtron dhunë apo shkatërron pronën duhet të përgjigjet individualisht përpara drejtësisë. Por fajësinë nuk e shpall kryeministri dhe arsimi nuk mund të kthehet në një privilegj që pushteti e jep ose e heq sipas dëshirës.
Një shtet demokratik nuk mund t’i trajtojë studentët që kundërshtojnë qeverinë si armiq të shtetit.
Ndërkohë që premton 2 500 euro shpërblim për efektivët e angazhuar në protestë, Rama duhet të japë përgjigje edhe për akuzat e dhunës policore ndaj qytetarëve.
Shqipëria e ka jetuar një herë kohën kur Partia vendoste për shkollën, punën dhe të ardhmen e njeriut. Nuk duhet të lejojë që kjo logjikë të rikthehet në institucionet e saj.
E drejta për të protestuar nuk është dhuratë e Edi Ramës. E drejta për arsim nuk është pronë e qeverisë. Dhe Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie.
Studentët janë qytetarë të Republikës, jo nxënës të bindjes politike të kryeministrit.
