Vrasja e Flamur Beqirit në vigjilje të Krishtlindjes vitin e shkuar, tronditi opinionin publik në Londër. Ai u qëllua për vdekje në sy të gruas dhe fëmijës së tyre.
Shqiptari jetonte në një lagje të pasur dhe drejtonte një kompani diskografike. Ai ishte vëllai i Misse Beqiri, një yll televiziv britanik.
Por shumë shpejt mediat raportuan se Beqiri mund të ishte vrarë për shkak të trafiqeve të drogës. Kur jetonte në Suedi, ai ishte pjesë e një bande të fuqishme.
Në fillim të këtij viti, autoritetet daneze arrestuan një 22-vjeçar, të quajtur Anis Fouad Hemissi. Boksieri akuzohet se ka bërë ekzekutimin e shqiptarit.
Sipas BBC, ai është ekstraduar për në Londër ku pritet të dalë përpara gjykatës.
Por në një tjetër zhvillim të bujshëm, autoritetet në Dubai thonë se kanë arrestuar bosin e drogës, Amir Mekky. Ai fshihej në Dubai që kur u arratis nga Spanja pas një operacioni të dështuar të policisë.
Mekky dyshohet se është kreu i bandës që ka porositur vrasjen e shqiptarit Beqiri. Ai u filmua teksa hidhte plehrat në Dubai. Forcat speciale e kanë arrestuar pak më vonë.
Vrasja e shqiptarit Flamur Beqiri bëri bujë edhe në median shqiptare, për shkak të lidhjeve të tij dhe të motrës me yjet e skenës në vend.
Ai ishte martuar në Itali në një dasmë luksoze.