Jaka: Heqja e tatimfitimit efekte pozitive te biznese me xhiro deri në 14 mln lekë. Amnistia e kapitaleve nuk do të jetë gjithëpërfshirëse

0

Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka në një konferencë për mediat deklaroi se heqjen e TVSH-së dhe tatimfitimit do të ketë efekte pozitive te biznesi i vogël.  

“Nisma për heqjen e TVSH-së dhe tatim-fitimit, normalisht është e mirëpritur dhe do ketë efekte pozitive, sepse një sipërmarrje deri në 14 milionë lekë, nëse lirohet nga TVSH-ja dhe tatimfitimi është një përfitim i drejtpërdrejt. Sigurisht ka nevojë për inkurajim të qeverisë që ta kalojë sa më shpejt këtë nisëm”, pohoi Jaka.   

Nisma për heqjen e tatimfitimit deri në 2029 për biznesin e vogël me xherri deri në 14 milionë lekë u njoftua pak ditë më parë nga kryeministri, Edi Rama. Kreu i qeverisë tha se po diskutohet që biznesit të vogël t’i hiqet komplet TVSH-ja.

Kreu i Dhomës të Tregtisë komentoi edhe për dy paketat e ndihmës financiare qe po shpërndan qeveria për bizneset që u mbyllën në periudhën e karantinës.

“Dy paketat e ndihmës financiare janë të orientuara me qasje sociale, dhe ky ishte sinjal pozitiv që u dha nga qeveria, por nuk janë me destinacion sipërmarrjen private apo përballimin e Covid-19 nga rënia e qarkullimit dhe kolapsit që u fut ekonomia shqiptare. Ndërkohë sistemi bankar nuk ka qenë në nivelin e duhur në implementimin e këtyre dy paketave.

Zoti Jaka theksoi edhe nevojën e hartimit të një plani strategjik afatgjatë për një rimëkëmbjen e ekonomisë, krijimin e një fondi garancie me vlerë 500 mln euro, emetim të obligacioneve të korporatave, si domosdoshmëri për tregun e kapitalit dhe hapjen e bursës.

Amnistia fiskale

Sipërmarrja kërkon që hartimi i draftit përfundimtar të amnistisë fiskale të hartohet në dialog me ta me qëllim që nisma të jetë gjithëpërfshirëse. Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë kërkoi dialog të plotë me grupet e interesit për amnistinë e kapitaleve, pasi kjo do të inkurajonte për më shumë formalizim.  

“Jemi bashkangjitur iniciativës, por kemi kërkuar të ketë një dialog të plotë amnistia fiskale. Shpresojmë që kjo amnisti fiskale të jetë gjithëpërfshirëse dhe të inkurajojë të dekurajuarit, por nëqoftëse kjo amnisti fiskale do ketë një dialog dhe komunikim me të gjithë grupet e interesit duhet ta bindi dhe sipërmarrjen e ndershme të inkurajohet duke menduar që do kemi një formalizim të ekonomisë dhe nuk do kemi më fenomene negative që e shqetësojnë ekonominë e vendit”, theksoi Jaka.

Ministria e Financave është propozuar që legalizimi i të ardhurave të kryhet kundrejt një tatimi që do të paguajnë individët të ndarë në disa kategori. Nëse të ardhurat do të deklarohen 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, tatimi do të jetë 3%, apo nëse ato do të deklarohen 6 muaj pas ligjit do të jetë 5%, kategoria tjetër ku përfshihet deklarimi i të ardhurave 9 muaj pas miratimit të ligjit do të jetë 6% dhe 1 vit më pas 8%.

Më herët qeveria deklaroi se amnistia e kapitaleve synon formalizmin e ekonomisë, ndërsa nuk do të jenë objekt i ligjit personat e dënuar për aktivitete kriminale, që janë subjekt i ligjit OFL. Nga amnistia do të përjashtohen edhe politikanët dhe rrethi i tyre familjar, gjykatësit, prokurorët, si dhe punonjësit e hierarkisë të lartë të administratës.

Artikulli i mëparshëmKartëmonedha e re 10 mijë lekë, më e madhja deri tani, hidhet në treg në tremujorin e katërt
Artikulli i radhësDeficiti në tregti e shërbime, Shqipëria më e prekura në Rajon nga Pandemia