Deficiti në tregti e shërbime, Shqipëria më e prekura në Rajon nga Pandemia

0

Pandemia Covid-19 ka cenuar tregtinë e mallrave dhe shërbimeve në disa aspekte, por Shqipëria për shkak të saj do të përjetojë zgjerim të deficitit të llogarisë korente më shumë se çdo vend tjetër në Rajon sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore.

Banka analizon se Shqipëria ka pësuar një goditje të dyfishtë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia Covid të cilat i kanë bërë me dobëta eksportet, teksa hyrjet valutore nga jashtë janë cenuar nga mosfunksionimi i eksportit të turizmit dhe prurjet më të pakta të remitancave. Gjatë këtij viti deficiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet me 4,3%.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është vendi më i ekspozuar ndaj Italisë, e cila merr gjysmën e eksporteve tona. Pandemia pritët të ulë edhe prurjet e emigrantëve për shkak se masat bllokuese kanë cenuar të ardhurat e tyre në vendet ku ato punojnë.

Për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dërgesat janë burim thelbësor i financimit të deficitit tregtar. Mesatarisht ata zënë mbi 6 % të PBB, por në Shqipëri kjo përqindje arrin në mbi 8. Në vitin 2020 kjo prirje nuk ka gjasa të vijojë.

Ekonomitë e Austrisë, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, dhe Zvicra, burimet kryesore të dërgesave, janë ndikuar negativisht nga kriza COVID-19.

Parashikimet janë që dërgesat të ulen me rreth 1 pike % të PBB-së këtë vit.

Gjithashtu investimet e huaja pritet të ulen me rreth 1, 5 pikë përqindje në raport me 2019.

Në raport me rajonin Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi do pësojnë zgjerim të deficitit të llogarisë rrjedhëse për shkak të varësisë së lartë nga turizmi.

Ndërsa Bosnja, Maqedonia dhe Serbia do të preken nga ulja e eksporteve.

Artikulli i mëparshëmJaka: Heqja e tatimfitimit efekte pozitive te biznese me xhiro deri në 14 mln lekë. Amnistia e kapitaleve nuk do të jetë gjithëpërfshirëse
Artikulli i radhësÇmimet e mallrave të importit u rritën me 0,2% në 3-mujorin e parë