Moti i pazakontë me rrebeshe shiu, stuhi e breshër ka përfshirë këtë pasdite disa qytete të vendit. Pas Beratit, shihet se dhe në qytetin e Librazhdit pas 60 minutave shi e rrebeshe qendra e qytetit është bërë e pakalueshme.
Uji ka mbuluar qytetin deri në 15-20 cm, duke e shndërruar në “liqen”. Për shkak të intensitetit të jashtëzakonshëm të reshjeve të shiut pusetat nuk mund të thithin më shumë se 15-30% të sasisë së ujit, që ka mbuluar rrugët dhe sheshet.
Ndërkohë, si rezultat i motit të keq në segmentin “Kthesa e Murrashit” dhe në aksin Librazhd-Prrenjas, në segmentin “Kthesa e Dragostunjës”, ka rënie masive dherash e gurësh, duke e bërë të rrezikshëm qarkullimin e mjeteve.
Thuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Korçës, ku siç shihet në videot që ka publikuar BalkanWeb uji ka “pushtuar” qytetin./ balkanweb