Marrëveshja/ Iljazaj: Vota nuk manipulohet gjatë procesit zgjedhor, por 1-2 muaj para, ja garancia që ka marrë Basha nga ambasada e SHBA

0
Iljazaj

Analisti Ervis Iljazaj i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka thënë se marrëveshja për Reformën Zgjedhore ka përmirësuar procesin zgjedhor, por nuk ndalon dot manipulimin e votës.

Sipas Iljazajt vota nuk manipulohet gjatë procesit zgjedhor por 1-2 muaj para. Iljazaj nga ana tjetër thotë se opozita ishte e detyruar që të pranonte këtë marrëveshje për të ndryshuar kursin me ndërkombëtarët, dhe për këtë Basha ka marrë garanci nga SHBA.

Iljazaj mendon se Basha ka marrë garancinë shtesë se ambasada amerikane do të jetë vëzhguese shtesë gjatë procesit zgjedhor pasi jo si më parë, SHBA-të në Shqipëri për 2021 janë më shumë të interesuara për procesin se sa për fituesin.

”E shoh më shumë marrëveshjen si një raport të opozitës dhe Bashës me ndërkombëtarët, sesa mazhorancës dhe opozitës. Opozita nuk kishte rrugë tjetër vetëm të ndryshonte kursin me ndërkombëtarët. Nuk e shoh si një marrëdhënie mes Ramës dhe Bashës. Por të Lulzim Bashës me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me ambasadën amerikane.

Katër polet i kam quajtur, se kanë qenë tre, mazhoranca, opozita dhe ndërkombëtarët. Tani është dhe opozita parlamentare. Është një tryezë e çuditshme dhe anormale. Opozita parlamentare nuk ka luajtur vetëm rolin e pjesëmarrësit por edhe përmbajtësor. Asnjë palë nuk mori atë që donte. Por la që të kuptohej se është më shumë një procedurë, formalitet se sa përmbajtje.

Po të hymë në përmbajtje, ka disa përmirësime të procesit të zgjedhjeve, por jam i bindur që votat në Shqipëri nuk manipulohen gjatë procesit, por 1 apo 2 muaj. Kjo zgjidhet vetëm nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe demokracisë në vend.

Opozita është e qartë që nuk e ka marrë garancinë e plotë. Por Basha ka marrë një garanci nga ambasada amerikane apo një vëzhgim shtesë.

Ambasada e SHBA si asnjëherë më parë nuk është angazhuar kaq shumë në një proces. Nuk ka marrë pjesë ndonjëherë kaq fort dhe kaq me insistim.

Opozita dhe Basha kanë marrë një garanci shtesë. SHBA kësaj here në Shqipëri janë të interesuar për procesin se sa për fituesin. Për shembull në 2017 SHBA ishte me PS qartësisht sepse kishte marrë përsipër Reformën në Drejtësi. Por në 2021 nuk i intereson fituesi prandaj janë angazhuar kaq fort tek Reforma Zgjedhore.”- tha Iljazaj.

Sa i përket refuzimit të opozitës parlamentare, Iljazaj thotë se SHBA do detyrojnë ata që të pranojnë marrëveshjen. Nga ana tjetër ai shprehet se sistemi zgjedhor nuk është kauzë dhe nuk ndryshon gjë si dhe konstaton se opozita parlamentare nuk është përfaqësuese.

”Po mundohen që të japin kartonat për të votuar. Derisa do jenë besnikë parimeve të tyre. Përderisa SHBA bëri bashkë Bashën me Ramën, atëhere e ka më të lehtë të bëjë edhe opozitën parlamentare. Do detyrohen ta votojnë Reformën Zgjedhore.

Nuk është sistemi zgjedhor nuk të mban në politikë. Është mit. Janë krijuar disa nisma brenda dhe jashtë parlamentit. Mit që sistemi të mundëson të jesh deputet, të bëhesh deputet. Të jesh deputet dhe të merresh me politikë ta mundësojnë votat e qytarëve me çdolloj sistemi. Opozitën parlamentare ky sistem i bëri deputet. Me sistem tjetër nuk do kishin shans.

Opozita parlamentare nuk është përfaqësuese. Flasin për popullin por a keni parë ndonjë takim në terren në zonat që përfaqësojnë. Sistemi zgjedhor nuk është kauzë.”- shtoi Iljazaj.

Artikulli i mëparshëmMot i pazakontë me rrebeshe shiu në Librazhd, uji vërshon nëpër banesa, bllokohet qendra e qytetit
Artikulli i radhësPërfundon seanca dëgjimore për Mançester Sitin! Ja çfarë vendosi KAS-i i Lozanës sot