Një rrjet i dyshuar ndërkombëtar që, sipas autoriteteve, mashtronte qytetarë përmes platformave të rreme të investimeve online është goditur në disa shtete, mes tyre edhe në Shqipëri. Operacioni u koordinua nga Eurojust dhe Europol, ndërsa në terren morën pjesë edhe SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit.

Shtatë të arrestuar dhe mbi 100 servera të sekuestruar
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, janë ushtruar kontrolle në 17 ambiente dhe janë sekuestruar më shumë se 100 servera, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Aksioni shtrihej në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Qipro, Finlandë, Izrael dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas versionit të autoriteteve, humbjet e shkaktuara nga kjo skemë e dyshuar mashtrimi llogariten në më shumë se 4 milionë euro.
Hetimi nisi pas denoncimit të një çifti gjerman
Hetimet kanë nisur në vitin 2022, pas kallëzimit të një çifti nga Gjermania, i cili kishte investuar kursimet përmes një platforme online dhe më pas nuk arriti të tërhiqte fitimet e premtuara.
Sipas hetuesve, skema funksiononte përmes faqeve që paraqiteshin si platforma legjitime investimi në kriptovaluta, valutë të huaj dhe aksione. Fillimisht viktimat bindeshin të dërgonin shuma të vogla, ndërsa në llogaritë e tyre shfaqeshin fitime të fryra për të krijuar idenë se investimi po ecte me sukses.
Presion për më shumë para dhe zhdukje e fondeve
Sipas hetimit, pasi krijohej besimi fillestar, ndërmjetësit ushtronin presion psikologjik ndaj viktimave për t’i shtyrë të investonin shuma edhe më të mëdha.
Kur investitorët kërkonin tërheqjen e parave, përballeshin me vonesa, justifikime dhe bllokime të vazhdueshme. Në fund, sipas autoriteteve, personat pas skemës zhdukeshin bashkë me fondet.
Dyshime edhe për subjekte në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Hetimi ka nxjerrë në pah edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se ofronte infrastrukturë për mashtrime online në modelin e njohur si “krimi si shërbim”. Sipas autoriteteve, ajo furnizonte grupe të ndryshme me faqe mashtruese për të ngritur skema investimesh fiktive.
Në mesin e klientëve të dyshuar të kësaj kompanie janë identifikuar edhe subjekte në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, që dyshohet se administronin call center-a të përdorur për të bindur viktimat të derdhnin më shumë para.
Çfarë roli pati pala shqiptare
Sipas njoftimit zyrtar, pala shqiptare ishte pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore të ngritura në Eurojust: njëri mes Gjermanisë, Polonisë dhe Shqipërisë, dhe tjetri mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në operacion morën pjesë SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit. Europol, nga ana e tij, dha mbështetje në analizën e të dhënave, hetimet dixhitale dhe verifikimin e provave, duke dërguar ekspertë edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Operacioni i fundit pason faza të mëparshme hetimore që, sipas autoriteteve, kishin çuar në dy arrestime dhe sekuestrimin e provave materiale.
Mbetet për t’u parë se sa nga ky aksion do të përkthehet në prova të qëndrueshme në gjykatë dhe në identifikimin e plotë të përgjegjësive për pjesën që lidhet me Shqipërinë.
