Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon takimet me bizneset e vogla në vend.
Këtë të enjte, kryedemokrati e ka nisur me bizneset e Njësisë Nr. 4 në Tiranë, prej ku thekson se “RAMAVIRUSI godet përditë shumicën e qytetarëve dhe majmet me paratë e taksave. Xhepat e shqiptarëve po boshatisen përditë sepse paratë e tyre, paratë e taksave të tyre pasurojnë një grusht oligarkësh”.
Më tej, Basha shton se kryeministri nuk mund të ofrojë asgjë, sepse gjithçka që ka bërë në këto 7 vjet ka qenë e kundërta e asaj që ka premtuar duke përkeqësuar vit pas viti situatën ekonomike të shqiptarëve.
Mesazhi i plotë i Bashës:
Pamundësia për të siguruar mbijetesën ka prekur shumicën e shqiptarëve.
Nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes në këmbë, në kushte të vështira për bukën e gojës e në fund dalin me humbje: Kjo është e vërteta e përditshme e shitësve dhe sipërmarrësve te vegjël në Njësinë Nr. 4 në Tiranë.
Përditë nga çdo qytetar, pensionist apo i ri, konsumatorë apo tregtarë dëgjoj të njëjtin shqetësim; Rënie e fuqisë blerëse, rritje e faturave dhe e çmimeve, pasiguri dhe pamundësi për të nesërmen.
RAMAVIRUSI godet përditë shumicën e qytetarëve dhe majmet me paratë e taksave. Xhepat e shqiptarëve po boshatisen përditë sepse paratë e tyre, paratë e taksave të tyre pasurojnë një grusht oligarkësh.
Pas 7 vitesh ky KM nuk mund të ofrojë më asgjë sepse gjithçka që ka bërë në këto 7 vjet ka qenë e kundërta e asaj që ka premtuar duke përkeqësuar vit pas viti situatën ekonomike të shqiptarëve.
Njerëzit kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për punë, kanë nevojë për liri dhe mundësi. Shqipërisë i duhet një qeverisje normale, për të zgjidhur krizën që po thellohet çdo ditë dhe për të parë përpara drejt normalitetit dhe zhvillimit.