Zllatan Ibrahinmovic është një lojtar që kurrë nuk ka folur thjeshtë për ta bërë diçka të tillë. Fjalët e tij kanë peshë, aq më tepër kur flet gjatë takimit të zhvilluar me drejtorin e deleguar të klubit kuqezi. Pas 3 muajsh, Ivan Gazidis u shfaq në Milanello, qendrën stërvitore të Milan, ku zhvilloi një takim me disa senatorë të ekipit, i pranishëm ishte dhe Zllatan. Kjo vizitë e Gazidis erdhi përpara ndeshjes së kthimit në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë kundër Juventus. Ibra ishte i qartë në me fjalët që iu drejtua Gazidis: “Ky është një klub pa projekt, nuk është më Milani i dikurshëm”.
Drejtori i deleguar i Milan u përpoq të shpaloste projektin e tij, strategjinë dhe dëshirën për të ndërtuar edhe një herë një klub të madh, duke nisur nga stadiumi i ri por këto fjalë nuk kanë bindur sulmuesin suedez, i cili ka shumë dyshime, nëse qëndron në Milano këtë do ta bëj vetëm për pasion. Në takimin që zgjati afro 45 minuta, Gazidis preku edhe temën e trajnerit të ri duke theksuar se asgjë nuk është vendosur, të gjithë janë nën provim, përfshi edhe Ibrën.