Një tjetër dosje grabitjesh me të pandehur shqiptarë është mbyllur me dënime në Britaninë e Madhe. Sipas autoriteteve britanike, Dionis Doku është dënuar me 3 vite e 10 muaj burg, pasi u identifikua si i përfshirë në një seri vjedhjesh në banesa në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey.

Dënimi për 9 grabitje banesash
Sipas policisë së Kentit, 45-vjeçari nga Sanxhaku i Krujës lidhet me nëntë grabitje shtëpish, ku janë marrë çanta markash luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi 500 mijë paund.
Versioni zyrtar thotë se hetuesit arritën ta identifikonin përmes ADN-së së gjetur në një shishe me spraj antibakterial, e cila dyshohet se ishte përdorur për të pastruar gjurmët në vendngjarje.
Si u arrestua në Londër
Sipas njoftimit të autoriteteve, Doku u vu re nga patrullat e policisë në një stacion autobusi në Uxbridge Road, ndërsa oficerët po mblidhnin pamje nga kamerat e sigurisë në zonë.
Pas ndalimit, çështja përfundoi në gjykatë me një dënim prej 3 vite e 10 muaj burg.
Katër shqiptarë të tjerë të dënuar në një hetim paralel
Në një tjetër rast, Policia Metropolitane e Londrës njoftoi se katër shqiptarë u kapën pas një hetimi disa mujor për grabitje banesash. Sipas këtij versioni, objektiv i tyre ishin shtëpitë e familjeve aziatike.
Çlirim Ferizi dhe Oresti Saliaj u dënuan me një total prej 5 vite e 6 muaj burgim. Autoritetet thonë se identifikimi i tyre u mbështet te pamjet CCTV, ADN-ja e gjetur në banesat e grabitura dhe të dhënat e qelizave telefonike.
Sipas policisë, edhe kartat Oyster që përdornin në metro ndihmuan në rindërtimin e lëvizjeve të tyre në zonat ku ndodhën grabitjet.
Arrestimet e Dionis Hetajt dhe Arben Cukës
Në të njëjtën dosje janë dënuar edhe Dionis Hetaj, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç, të përshkruar nga autoritetet si bashkëpunëtorë.
Policia tha se më 19 janar 2026 mori njoftim për një vjedhje në zhvillim në një banesë në Ealing. Oficerët, sipas versionit zyrtar, mbërritën brenda pak minutash dhe gjetën Hetajn mbi çatinë e shtëpisë, teksa tentonte t’i shmangej arrestimit.
Me ndihmën e njësisë së qenve, ai u kap dhe iu gjetën një levë hekuri si edhe sende të raportuara si të vjedhura nga banesa. Cuka u arrestua më pas, më 4 mars. Të dy u dënuan me një total prej 5 vitesh burg në Gjykatën e Kurorës në Isleworth.
Rastet e bëra publike nga policia britanike tregojnë se hetimet janë mbështetur kryesisht te ADN-ja, kamerat e sigurisë dhe gjurmimi i lëvizjeve përmes transportit publik dhe telefonisë.
Në qendër të çështjes mbetet dënimi i Dionis Dokut, që sipas autoriteteve lidhet me një seri grabitjesh me dëme të konsiderueshme në disa qarqe të Anglisë.
