Pasuria në vlerë 2 mln euro e sekuestruar me vendim gjykate në Durrës i përket Pëllumb Tudës. 51-vjeçari është një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare.
Ai ka qenë i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe i arrestuar disa herë për plagosje me armë.
Tuda është denoncuar para 5 viteve nga banakjerja në lokalin në pronësi të tij sepse ka dashur që ta prostituonte, dhe kur vajza e kishte refuzuar e kishte rrahur barbarisht.
Vajza me iniciale M.P., ka shkuar në policinë e Durrësit me hematoma në sy, duke denoncuar punëdhënësin e saj, se në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar ta shfrytëzonte për prostitutë me klientë të lokalit.
“Kur nuk pranova i thashë që nuk jam prostitutë, por banakiere dhe nuk pranoj ta bëj këtë punë, më rrahu me çfarë kishte në dorë. Merrni masa sepse nuk më lë të qetë. Më thotë do të të vras nëse nuk i bindesh urdhrave të mia. Unë kam frikë prej tij”, ka denoncuar vajza në polici.