Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari ka dalë sot para KPK-së.
DSIK është shprehur se ka papërshtatshmëri për të vijuar detyrën si gjyqtare, pasi ka deklarim të pasaktë të pasurisë, dhe gjithashtu akuzohet se ka fshehur revokimin e vizës amerikane çka mund të sjellë shkarkimin e saj.
Sipas raportimit, gjatë procesit të kontrollit të figurës, DSIK ka dalë në konkluzionin se zonja Hajdari ka bërë deklarim të pasaktë në formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur faktin se i është revokuar viza amerikane.
Kjo e fundit ka deklaruar se revokimi i vizës nuk kishte ndodhur në momentin që ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Hajdari ka shtuar se nuk i është ndaluar hyrja në ndonjë vend të BE apo NATO.
“Më është kërkuar pasaporta dhe më është komunikuar se jam në proces vetingu ndaj më revokohet viza”, ka thënë ajo.