Ushtria e Koresë së Veriut ka paralajmëruar se është e gatshme të hyjë në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë. Kërcënimi është pjesërisht në përgjigje të grupeve të aktivistëve të Koresë së Jugur që dërgojnë materiale propaganduese në veri.
Gjatë fundjavës, Kim Yo-jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, tha se ajo do ta urdhëronte ushtrinë të përgatitej për këtë hap.
Dhe ushtria tani thotë se është e gatshme të “kthejë vijën e parë në një fortesë dhe të ngrejë vigjilencën ushtarake”.
Tensionet midis dy vendeve janë rritur për ca kohë në lidhje me broshurat ndërkufitare, të hedhura fluturimthi zakonisht me tullumbace.
Ministria e mbrojtjes e Koresë së Jugut të martën iu përgjigj kërcënimeve të rinovuara duke thënë se po punonte me SHBA për të monitoruar nga afër lëvizjet ushtarake në Veri.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë të ndara nga e ashtuquajtura zonë e çmilitarizuar (DMZ) – një rrip përgjatë kufirit që ka ndarë të dy vendet që nga Lufta e Koresë në vitet ’50.
Të martën, ushtria e Koresë së Veriut tha se ishte “duke studiuar një plan veprimi” që ushtria të lëvizte “në zonat që ishin çmilitarizuar”. Shtabi i Përgjithshëm tha se ishte në “gatishmëri të lartë” dhe i gatshëm të “zbatojë me shpejtësi dhe tërësi” çdo vendim të qeverisë.