Ka ndërruar jetë në moshën 67-vjecare Nehat Kulla. Mësohet se Kulla ka humbur jetën në banesën e tij, pas një tromboze në mushkëri.
67-vjeçari Nehat Kulla ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi drejtoi një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë dhe në Shqipëri, në vitin e mbrapshtë 1997. Ai ka shlyer në burgun e Fushë Krujës dënimin 20-vjeçar për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata, Halim Gjuzit, në vitin 1998, në Golem.
Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën “gjenerali”, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës, për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.
Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë. Banda e tij akuzohet se ka kryer shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme në vitet 1997-1998.
Nofka e “Gjeneralit”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej “Gjenerali”, pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.
Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.