Raportohet nga QSUT për gjendjen stabël të deputetit Adriatik Alimadhi dhe mjekëve Roland Xhaxho dhe Andi Koraqi.
Gjendja e deputetit Alimadhi është stabël dhe nga mjekët thuhet që trajtohet me oksigjenoterapi ose siç njihet maskë oksigjenuese. Ai ka vështirësi në frymëmarrje por gjendja e tij konsiderohet stabël. E njëjta situatë raportohet edhe për mjekun Roland Xhaxho. Ndërkohë që doktor Andi Koraqi nuk shfaq probleme dhe vlerësohet në gjendje të mire relativisht pavarësisht faktit që është mbipeshë.
Përsa i përket spitalit tek COVID 2, raportohen 5 persona në terapi intensive, 4 të intubuar, 2 gra dhe 2 burra. Është edhe një person i pestë jo i intubuar, por me oksigjen. Në pavijonin e COVID 2 mbeten të shtruar edhe 12 persona të tjerë. Kanë pneumoni bilaterale, por nga tamponi kanë rezultuar negativë. Ndërkohë mjekët e sanatoriumit nuk japin garanci se tamponi mund ta kapë kur virusi zbret në mushkëri. Ata thonë se të sëmurët janë me koronavirus dhe se këtë e tregon skaneri i pulmonit. Gjithashtu vihet re një ulje e të sëmurëve me komplikacione dhe urgjencave, raportohet nga Spitali Covid 2.