E fshehur nga malet mbi 8 mijë metra në Himalajë, por edhe nga lajmet e vrullshme që po ndodhin në Shtetet e Bashkuara dhe pasojat e pandemisë globale, sot një episod ka ndryshuar “status quo” gjeopolitike të dy gjigantëve aziatikë, Indisë dhe Kinës.
Për herë të parë në 40 vitet e fundit, ushtarë të dy fuqive bërthamore, që së bashku numërojnë pothuajse 3 miliardë banorë, janë përballur ushtarakisht në kufirin mes tyre, duke shkaktuar viktima.
Shkëmbimi i zjarrit, që sipas burimeve mori formën e një beteje të vogël, ka shkaktuar të paktën tre viktima tek ushtarët indianë, ndërkohë autoritetet kineze nuk japin shifra mbi humbjet e tyre, edhe pse flitet që viktima ka patur nga të dy anët.
Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, forcat indiane kanë kaluar linjën e quajtur LAC (Line of Actual Control), që faktikisht përbën linjën e kufirit nga viti 1962, kur gjatë muajit nëntor dy fuqitë u përballën në një luftë të hapur që kushtoi mijëra viktima, veçanërisht nga pala indiane.