Olena Zelenska, bashkëshortja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky është shtruar në spital për shkak të Covid-19 dhe për pneumoni në të dy anët e mushkërivë.
Lajmi u bë i ditur nga zyra presidenciale duke thënë se gjëndja e 42-vjecares është e qëndrueshme, megjithëse diagnoza është pneumoni bilaterale me ashpërsi të moderuar.
“Bashkëshortja e presidentit është në izolim, nën mbikëqyrje mjekësore, ndërkohë që presidenti dhe fëmijët e çiftit kanë rezultuar negativ ndaj virusit. Pra, ajo nuk ka nevojë për ndihmë me oksigjen, pasi gjendja është e qëndrueshme”,- tha zyra e presidentit në një deklaratë publike.
Ukraina vendosi karantinën në muajin mars, duke parandaluar një përhapje masive të koronavirusit. Në fund të majit, qeveria filloi të lehtësojë kufizimet, duke lejuar që restorantet, palestrat dhe transporti publik të operojnë normalisht. Që nga 15 qershori, vendi rifilloi fluturimet ajrore.
Ukraina ka regjistruar më shumë se 30 000 raste të koronavirusit duke përfshirë mbi 900 vdekje të lidhura drejtpërdrejt me Covid-19.