Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Agron Duka shpreh shqetësim për rritjen e numrit të të infektuarve nga koronavirusi, duke bërë një thirrje publike për respektimin e masave.
Sipas PAA, kryeministri Edi Rama po tenton të fshehë dështimin e menaxhimit të situatës me mesazhe kërcënuese që përhapin panik.
Deklarata e plotë:
Partia Agrare Ambientaliste (PAA) bën apel publik për respektimin rigoroz të protokolleve të masave që reduktojnë maksimalisht përhapjen e koronavirusit. PAA është kundër deklaratave të kryeministrit Rama, i cili dështimin e menaxhimit të situatës pas hapjes graduale tenton ta fshehë me mesazhe kërcënuese që përhapin panik, vrasin shpresën si dhe rrënojnë jetët e individëve, familjeve dhe biznesit. Gati të gjithë liderët në botë po përdorin optimizmin për të luftuar pandeminë, vetëm pak liderë jo demokratikë po përdorin frikën. Liderët në të gjithë botën janë fokusuar tek këndvështrimi dhe angazhimi i përkushtuar pozitiv i hapjes së ekonomisë, kthimit të shpresës dhe normalitetit. Garantimi i hapjes së ekonomisë pa nënvlerësuar jetën e asnjë individi është detyra jetike e Qeverisë dhe jo dhuna kërcënuese në komunikim dhe marrëdhëniet publike.
Zgjidhja nuk është kthimi i mbylljes por ndërgjegjësimi publik për respektimin maksimal të masave që reduktojnë përhapjen e pandemisë edhe në kushtet kur ekonomia bëhet funksionale. Ky këndvështrim pozitiv krijon premisa për bashkëveprim të ndërgjegjësuar, i cili është strategjia më e sukseshme parandaluese. Filozifia e përhershme e qeverisjes së Ramës ka qenë ngjallja dhe keq përdorimi i frikës dhe panikut. Paniku e ushqen krizën, nuk e vret atë. Rama duhet të qartësojë përse aktualisht pjesa më e infektuar po rezulton në adminstratën publike, që minimalisht duhet të jetë pjesa më e ndërgjegjësuar e respektimit strikt të protokolleve parandaluese. Qeveria por edhe të gjithë shqiptarët duhet të përkushtohen vetëm për një zgjidhje – kthimin në jetën normale, rikthimin e aktiviteteve ekonomike që të reduktohet papunësia, varfëria si dhe kostot humane, sociale, ekonomike dhe buxhetore të kësaj krize.