Nga Nertila Maho
Turizmi ka vënë alarmin se sektori mund të kalojë lehtë në faliment nëse nuk ndihmohet në këto kohë të vështira të COVID-19, me një paketë të veçantë nga qeveria. Hallka të tëra të zinxhirit nga hoteleria tek agjencitë turistike e udhërrëfyesit gjenden sot në kushte mbijetese.
Strukturat akomoduese në ritmin e kërkesës për kapacitete më të mëdha ishin angazhuar këtë vit me investime dhe kredi të reja. Agjencitë janë mes buxheteve të shpenzuara të marketingut dhe humbjeve kolosale që parashikohet të mbarten përtej një viti.Udhërrëfyesit nga ana tjetër janë të vetëpunësuar që lejohen të punojnë por çështja që shtrohet është: ku janë turistët? Cila është situata që po përjeton sot sektori që i solli ekonomisë 2.1 miliardë euro të ardhura në vitin 2019?
Enea Kumi, prej vitesh ushtron profesionin e udhërrëfyesit turistik dhe priste këtë 1 prill grupin e parë të turistëve irlandezë për vitin 2020. Ata do të vizitonin Shqipërinë, në një tur kulturor që do të niste me Tiranën e do të vijonte me Shkodrën, Beratin, Himarën, Butrintin, Gjirokastrën, Korçën. Por ky tur, ashtu si gjithë të tjerët të paktën deri në qershor, është anuluar dhe pritshmëria për një vit turistik të mbarë është zbehur.
Me ligj, z.Kumi i lejohet që të ushtrojë aktivitetin, që tingëllon disi ironike në kushtet e sotme, kur transporti ajror ka ndaluar, ai rrugor është i kufizuar dhe i gjithë vendi është në karantinë me lëvizje të kontrolluara. Si të vetëpunësuar, udhërrëfyesit turistikë do të duhej të fitonin atë që u lakua aq shumë si paga e luftës, por duke qenë se aktiviteti i tyre nuk është mbyllur, dhe lejohet të ushtrohet, ky grup është i përjashtuar.
“Ka një handikap te puna jonë, sepse jemi të licencuar me NIPT. Jemi të vetëpunësuar dhe aktiviteti ynë ka ndalur që në momentin që janë ndaluar fluturimet dhe është kufizuar lëvizja. Në praktikë, vendimet e autoriteteve nuk na ndalojnë që të ushtrojmë aktivitetin, por si mund të ushtrojmë ne këtë aktivitet kur ne operojmë si guida përmes organizimit. Mua nuk më lejohet të kem më shumë se dy persona në ture, sepse përbën risk. Transporti ajror, rrugor, detar është i kufizuar. Nuk ka asnjë mundësi lëvizje dhe të gjithë turet për prill, maj dhe qershor janë anuluar” shprehet Kumi.
Turet kulturore me turistë elitarë që paguajnë më shtrenjtë dominonin
Axhenda para situatës së koronavirusit ishte relativisht e ngjeshur në aktivitete, ku sërish më 18 prill Kumi priste një tjetër grup me turistë nga Irlanda, i dyti brenda muajit, por edhe turistë suedezë. Në maj, grupet e organizuara përfshin kanadezë, amerikanë, australianë dhe tashmë, të gjithë janë anuluar.
“Turistët suedezë kërkuan që të bëhej një riskedulim i mëvonshëm për të ardhur në Shqipëri, ndoshta jo në prill siç ishte programi, por në muaj të tjerë. Por Lufthansa, me të cilën ata kishin fluturimet, nuk ka bërë riskedulim apo ndryshim të datave për Shqipërinë. Në përgjithësi, kompanitë ajrore nuk kanë qenë të qarta se kur do të rifillojnë fluturimet me Shqipërinë dhe kjo ka dëmtuar dhe atë pjesë që ka kërkuar ndryshim të datave” – pohon ai.
Për herë të parë këtë vit pritej të kishte një ndryshim domethënës tek pjesa e turizmit që preferohet në muajt para verës. Vit pas viti ka një zhvendosje nga natyra te turet kulturore. Të dyja këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por integrohen në paketa të përbashkëta.
“Turistët e huaj që vijnë në Shqipëri duan t’i provojnë të gjitha, ndaj janë të interesuar për natyrën po aq sa për kulturën dhe kulinarinë. Turet e pranverës janë të gjatë dhe përfshijnë disa qytete, nga Tirana e në vazhdim në të gjitha ato pikat kyçe si Berati, Shkodra, Himara, Fieri konkretisht Apolonia, Butrinti, Gjirokastra, Korça e me radhë.
Përgjithësisht këto paketa përfshijnë edhe vendet e rajonit, kryesisht Maqedoni dhe Kosovë dhe më pak Malin e Zi, por këtë vit duhet thënë që kishte një interes veçanërisht për Shqipërinë. Përqindja e ditëve jashtë saj ishte 30%. Një tjetër element ishte fakti që turistët që po afroheshin ishin të interesuar për natyrën dhe hiking, por mbi të gjitha, për pikat kulturore, parqet arkeologjike, qytetet historike. Është lloji i turistit elitar që ka kureshtje dhe paguan paketa më të shtrenjta që rrjedhimisht përkthehet në më shumë përfitim për ekonominë” – sqaron Kumi.
Si një pedagog pranë shkollës ku certifikohen guidat e reja, ai nënvizon se situata me koronavirusin ka futur në ngërç edhe këtë pjesë. Shqipëria, sipas tij, ka nevojë të madhe për guida të certifikuara dhe çdo vit, pranë Tirana Training Center organizohet trajnimi i udhërrëfyesve të rinj që pasi marrin certifikatën, shkojnë të licencohen pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Këto guida ishin gati gjithmonë në qershor, për t’ju përgjigjur kërkesës së tregut. Me situatën e re, të gjithë udhërrëfyesit potencialë kanë bërë pagesën e trajnimit, por e kanë të pamundur të ndjekin orët e mësimit. Edhe nëse arrijnë të përfundojnë këtë fazë nga ministria, duhen 30-45 ditë për të dhënë licencën, çka bën që ky grup i ri nuk do të arrijë të kapë dot sezonin e verës, gjithmonë nëse do të ketë një të tillë, pasi siguria mbetet e lartë.
Agjencitë pësojnë humbje të mëdha, situata mbetet e paqartë
Agjencitë turistike janë një tjetër hallkë e sektorit të turizmit e lënë nga qeveria te grupi i aktiviteteve që mund të vijojnë, pavarësisht situatës. Por sot, askush prej tyre nuk e ka të qartë sesi mund të operohet në këto kushte. Jetmira Hoxha, Menaxhere Turizmi pranë Union Travel, tha se agjencia, edhe pse lejohet të ketë aktivitet nuk gjeneron asnjë fitim në këto kushte. Stafi po punon nga shtëpia, duke qëndruar në gatishmëri, por përveç ndonjë çështje të brendshme, rezervime apo aktivitet nuk ka.
“Agjencitë janë lënë hapur, por ne nuk kemi se çfarë të shesim. Që me mbylljen e kufijve nuk ka më asnjë lëvizje. Grupet që ishin incoming (të huaj që vijnë në Shqipëri) apo outgoing (shqiptarë që dalin jashtë) janë anuluar. Kështu në ardhje(incoming) ne prisnim në këtë kohë disa grupe të huajsh si holandezë dhe rumunë në ture të organizuar. Fillonin gjithashtu udhëtimet individuale nga Izraeli me linjën e tyre.
Është pjesa e francezëve që na vizitonin këtë periudhë pasi bëjnë atë turin ballkanik ku përfshihet edhe Shqipëria. Të gjitha këto janë anuluar. Ka disi shpresë për majin, pasi mbeten pezull disa rezervime ngaqë nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë” pohon Hoxha. Ajo thekson se sa u takon shqiptarëve që dilnin jashtë në këtë periudhë, ishte grupi i atyre që preferonin të vizitonin Europën, konkretisht Greqinë, Francën, Hungarinë mjaft e preferuar, dhe Italinë. Edhe këto janë anuluar ose mbeten pezull.
“Ne jemi sektori i parë të prekur dhe me humbje të jashtëzakonshme në këtë situatë. Ndërsa për marsin kishte pak lëvizje dhe ne jemi angazhuar me riskedulime apo kërkesa të tjera, prilli ka zero aktivitet. Në gjithë historinë e operimit, marsi dhe prilli i këtij viti janë më të vështirët. Ne nuk kemi çfarë të shesim. Është situata e tillë që njerëzit, edhe pse janë në shtëpi, nuk bëjnë rezervime pushimesh edhe për më vonë, sepse nuk e kanë idenë si do të vijë situata.
Pritshmëritë tona janë që rënia të vazhdojë gjatë gjithë vitit, sepse një pjesë e njerëzve po ezauron pushimet gjatë kësaj periudhe, një pjesë tjetër mund të gjendet e papunë ose në vështirësi ekonomike dhe një grup tjetër do të orientohen drejt kursimit” shprehet Hoxha. Sipas saj, pasojat do t’i ndiejnë të gjithë, por ata që rrezikojnë më shumë janë agjencitë e vogla, të cilat do të shkojnë drejt mbylljes.
Pritet ndryshim i tipologjisë së turizmit, sytë do të hidhen nga rajoni
Vitet e fundit, Shqipëria po përjetonte një rritje të numrave të turizmit të organizuar, teksa disa nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare po lidhnin kontrata të parapaguara. Kjo nisi me polakët dhe çekët, duke vijuar më pas me nordikët dhe së fundmi me gjermanët e zviceranët, por edhe më gjerë. Këtë vit, turizmi i organizuar i vendosur kryesisht në zonën e Golemit dhe me tendencë zgjerimi drejt Vlorës e Sarandës, ka pësuar goditje dhe tur-operatorët raportojnë se agjencitë kanë rënë dakord që pagesat që kanë bërë, t’i shtyjnë për vitin 2021 ose t’i shfrytëzojnë në bazë të numrit të turistëve që do të kenë, duke mos paguar asnjë fond shtesë. Kjo pritet të sjellë ndryshime në tipologjinë e turizmit në vend. Ornela, nga agjencia Global Travel, tha se ndoshta sytë këtë vit do të hidhen te vendet fqinje, ashtu si dikur.
“Situata është e vështirë dhe sidomos tek ne që jemi në zinxhirin e sektorit të turizmit do të ketë pasoja më të mëdha. Mendoj se hotelet në Shqipëri kanë një mundësi rikuperimi më të shpejtë sesa hallkat e tjera. Mendoj se këtë vit do të ndryshojë tipologjia e turizmit nëse nuk do të ketë fluturime charter, siç ka ndodhur vitet e fundit, do të përdoret pjesa që vjen nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe një pjesë e vendasve. Do të ndryshojnë edhe çmimet natyrisht për të rikuperuar humbjen, që besoj do jetë në tendencën rritëse. Ndaj them që hoteleria e ka më të thjeshtë ta marrë veten, kurse ne si operatorë tani në mars – prill kishim pikun e rezervimeve. Kemi shpenzuar shumë për marketing dhe ndërkohë jemi në humbje të parakohshme.
Në Shqipëri nuk ekziston as sigurimi i kontratave për risqe të kësaj natyre, sepse nuk e kemi si produkt të ofruar nga kompanitë e sigurimit, pasi kjo do të lehtësonte mjaft. Në këto kushte jemi të pambrojtur. Po bëjmë negocimin e gjërave që mund të negociohen, fatura telefoni, dritash, uji, qiraje por ajo që dëmton më shumë janë paketat që ne i kemi parapaguar për t’i marrë me çmime oferte.
Në të gjithë botën po diskutohet që paketat e paguara të mos anulohen por të riskedulohen me data në bazë të situatës. Është e pamundur të bëhet kthimi i përfitimeve financiare, sepse krijon probleme në gjithë zinxhirin. Nga hoteli tek agjencia e më pas te klientët që kanë bërë rezervimet. Jemi të vetmuar në gjithë këtë situatë dhe s’kemi pasur as kohë për pretendime” – shprehet përfaqësuesja e Global Travel. Ajo thekson se agjencitë, që në fillim të situatës së krijuar nga gjendja e fatkeqësisë natyrore, e kanë pasur të pamundur të operojnë. I gjithë aktiviteti që kanë ushtruar ka qenë negocimi me klientët për biletat e lëshuara.
Klientët kanë kërkuar pagesat në mënyrë të menjëhershme, por ndërkohë linjat ajrore nuk kanë dhënë ndonjë njoftim, nëse do të ketë kthim apo jo të pagesave. “Që në momentin e mbylljes së aeroportit dhe kufizimit të shumë aktiviteteve që lidhen direkt me turizmin, ne nuk kemi pasur punë. Kemi kufizuar dhe publikimet e marketingut dhe rrjetet sociale, sepse nuk kanë ndonjë vlerë për momentin. Vetëm për fundin e majit kemi një grup gjermanësh me 12 ditë qëndrimi në gjithë Shqipërinë, me fokus pjesën kulturore. Ata e kanë lënë pezull duke pritur që të ndryshojë situata, por mundësitë duken të vogla” pohon përfaqësuesja e Global Travel.
Paketat e Turqisë dhe Egjiptit, spostohen, por nuk anulohen
Jetmira Hoxha, nga Union Travel, shprehet se rezervimet që bëhen për paketa të veçanta si Turqi dhe Egjipt, kanë vijuar normalisht në muajt e parë të vitit, por tashmë gjithçka ka ndalur. Bëhet fjalë për atë grup të shqiptarëve që duan të pushojnë jashtë dhe rezervimet e qershorit i bëjnë që në fillimvit për hir të ofertave. Sipas saj, në mars dhe prill, ajo që bëhej ishin turet e informimit ku vizitoheshin dhe merrej përshtypja për paketat nga ana e agjencive. Këto janë anuluar tashmë dhe nuk dihet ç’do të ndodhë. Nga Global Travel, nga ana tjetër, konfirmojnë se të paktën Turqia nuk ka dhënë ndonjë vendim final për masat, duke qenë se sezoni i verës mbetet ende disa muaj larg dhe duhet të qartësohet situata.
“Ne kemi pasur nga këto paketa, sepse jemi aktivë dhe rezervimet fillojnë nga maji dhe vazhdojnë deri në shtator. Deri më tani, Turqia për shembull nuk ka bërë asnjë anulim. Ne jemi në pritje, pasi ndoshta mund të ketë spostime të datave dhe sezoni veror të shtyhet disi”, – pohon Global Travel. Të dyja përfaqësueset e agjencive konfirmojnë se situata duket problematike në të ardhmen, në kushtet kur janë në grupin e aktiviteteve që lejohen, por nuk po gjenerojnë asnjë fitim dhe paralelisht stafi është në punë. Agjencitë e mëdha konfirmojnë se goditja e tyre do të ketë pasoja për pjesën e agjencive të vogla që operojnë përmes tyre, pasi nuk disponojnë licencat përkatëse për të operuar si të pavarura.
Njëzëri pranojnë se humbja e këtyre muajve do të mbartet gjatë gjithë vitit, ndërkohë që frika më e madhe është sjellja e konsumatorëve. “Në një situatë si kjo, njerëzit do të priren që të shkurtojnë shpenzimet e luksit ku bëjnë pjesë dhe udhëtimet apo pushimet diçka që do të na dëmtojë sigurisht, jo vetëm ne por një sërë sektorësh që konsiderohen si shpenzim luksi” – nënvizon përfaqësuesja e Global Travel. Sot agjencitë, sipas saj – po vlerësojnë kushtet ku janë dhe ndoshta do ta dërgojnë stafin në shtëpi deri në zgjidhjen e situatës pasi shpenzimet janë të larta.
Lidhur me fondin e garancisë për kreditë, i lëshuar nga qeveria, ajo nënvizon që ky është një risk që bizneset nuk e shohin të arsyeshme ta marrin në një kohë kur situata është e vështirë dhe ka pasiguri të madhe mbi atë që do të vijë. Bizneset edhe vetë përmes marrëdhënieve me bankat mund të kishin gjetur një rrugë – shprehet ajo – nëse kjo do të ishte zgjidhja. Por situata është e vështirë për të pretenduar se mund të zgjidhet me të tjera borxhe.
Kasa: Pasiguritë e sezonit, ç’po ndodh me kontratat, turistët vendas nuk na “shpëtojnë”
Tërmeti i 26 nëntorit ishte goditja e parë e sektorit të turizmit dhe kryesisht hotelerisë në zonën e Durrësit. Por në një panoramë më të gjerë ishte një goditje imazhi që për një moment u mendua se do të vinte në risk sezonin turistik veror. Operatorët, në atë kohë, preferuan të mbanin optimizmin duke pasur pritshmëri që situata do të ishte në mos më e mirë, njëlloj si viti 2019, që cilësohet një vit i mirë turistik me një numër hyrjesh prej 6.4 milionë vizitorësh në vendin tonë.
Banka e Shqipërisë raportoi se të ardhurat në ekonomi, në vitin e shkuar nga sektori i turizmit, ishin 2.1 miliardë euro, me rritje 12% në raport me vitin 2018. Pakkush mund ta merrte me mend se në pak muaj ky optimizëm do të përmbysej dhe koronavirusi do të kërcënonte turizmin në nivel global, duke lënë bosh pikat më të nxehta turistike në të gjithë botën. Tur-operatorët pranojnë se kjo është një goditje që nuk mund të përballohet e vetme dhe ka nevojë për mbështetje me paketë të veçantë.
Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, tha për “Monitor” se të gjithë turet e planifikuara deri në qershor janë anuluar dhe nuk ka më asnjë grup. Grupet e organizuara me charter janë anuluar të gjitha dhe ndoshta mendojmë që nga gjysma e dytë e qershorit të kemi ndonjë ndryshim, gjithmonë në varësi të situatës. Të gjithë kontraktorët i kanë kaluar kontratat në allotment.
Kjo do të thotë se pagesat që kanë bërë si paradhënie do t’i shfrytëzojnë në bazë të numrit të turistëve që do të vijnë, pra do mbulohen kostot e plota të klientëve. Për shembull, nëse kanë paguar 100 mijë euro parapagim, ata nuk do të paguajnë asgjë më shumë, por do presin që me klientët që do vijnë, të mbulojnë kostot. Vetëm pasi të jetë shpenzuar shuma e parapagesës, do të nisë faturimi i ri dhe pagesat normale. Ne prisnim një sezon të mirë dhe shumë struktura hoteliere, me kapacitete të mëdha, u angazhuan sërish në investime të reja sipas kërkesës. Tani janë në vështirësi pasi po shohim që sezoni është në pikëpyetje” sqaron Kasa.
Ai nënvizon se tur-operatorët mbeten me shpresën e përmirësimit të situatës dhe të kemi një numër turistësh që do ta vizitojnë vendin tonë, por kjo mbetet për t’u parë. “Ideja është që Shqipërinë po e vizitonin së fundmi nordikë, gjermanë polakë dhe në një pjesë të madhe këto grupe janë në moshën e tretë. Ka një lloj paniku që koronavirusi e kërcënon këtë moshë dhe ka një stepje nga ky grup për të lëvizur. Ardhja e të huajve do të tkurret jo vetëm tek ne por në përgjithësi turizmi është i kërcënuar” nënvizon kreu i Unionit Turistik.
Ai nënvizon se ka nevojë që qeveria të shohë me kujdes paketën e veçantë për turizmin, sepse në vetë konceptimin si është bërë lejimi dhe mbyllja e aktiviteteve, ka probleme. “Qeveria thotë që aktiviteti i hoteleve lejohet, por çështja është çfarë do shesin këto hotele dhe agjenci kur kufijtë janë mbyllur dhe nuk ka transport. Shumica e tyre janë biznese të mëdha dhe nuk përfitojnë nga kjo paketë për biznesin e vogël.
Ndërkohë situata është e ndërlikuar dhe për transportin turistik dhe për pjesën e restoranteve që janë mbyllur, kurse hoteleria lejohet. Duke qenë se janë kaq shumë kategori që preken, është me vend të shihet një lloj subvencioni apo paketë specifike, ku shteti të marrë përsipër ndonjë lehtësi. Ne si industri kemi 100 mijë të punësuar direkt. Minimumi duhet të ndihmohen me një pjesë të pagës. Sepse shtetit i kushton më pak të subvencionojë dy muaj pagë, sesa të paguajë një vit asistencë nëse kjo kategori del e papunë” – thekson Kasa.
Lidhur me idenë e turizmit patriotik që po lakohet aq shumë si një shpëtim për industrinë, kreu i Unionit nënvizon se kjo nuk e ndihmon dhe aq industrinë. “Ne kishim kontratat me të huajt dhe bashkë me ata që pushojnë në vend bëjmë plotësimin e kapacitetit. Ardhja e të huajve është hyrje valute në vend dhe ndihmon ekonominë. Motoja e pushimeve patriotike na dëmton, pasi ne jemi një popullatë në numër të vogël dhe kemi kapacitete më shumë sesa shfrytëzojmë vetë për pushime. Nuk besoj se do të ishim të aftë të plotësonim gjithë strukturat sado e mirë dëshira” – shprehet Kasa.
Strukturat hoteliere mes planesh zgjerimi, në përpjekje për të mbajtur stafin e kualifikuar
Fafa Group është një nga strukturat akomoduese më të mëdha në zonën e Golemit, ku viteve të fundit janë vendosur turistë kryesisht nordikë, por edhe gjermanë. Rritja e kërkesës nga kompanitë e huaja për më shumë kapacitet bënë që Fatos Çerenishti, administrator i Fafa Group, këtë vit të bënte edhe një investim shtesë për një strukturë të vogël me 60 dhoma.
Situata e papritur e ka vënë në vështirësi teksa i gjithë sezoni është në pikëpyetje. “Jemi trembur nga kjo situatë sepse nuk e dimë si do të jetë sezoni turistik i kësaj vere. Dihet nga të gjithë tur-operatorët që deri në qershor janë anuluar 100% të gjithë rezervimet, ndërsa një pjesë e qershorit, korrikut dhe gushtit mbetet e paqartë.
Ndoshta atëherë mund të kemi ndonjë shpresë për të punuar diçka e gjithë industria. FAFA Group ka kapacitet akomodues mbi 500 dhoma dhe së fundmi po shtojmë dhe një investim të vogël me 60 dhoma, si kërkesë e kompanive të huaja. Por tani nuk e dimë si do shkojë” pohon Çerenishti. Ai konfirmon se të gjithë punonjësit janë lënë pushim dhe në punë janë vetëm mirëmbajtja që po merret me riparime apo rregullime, si dhe pjesa e security.
“Kemi vështirësitë tona, por edhe pse punonjësit i kemi lënë pushim këtë muaj, do të mundohemi t’i paguajmë me 50% të pagës, sepse shohim që qeveria nuk do të vërë dorë. Ne si kompani do të paguajmë marsin, por sa të kemi mundësi, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Për pjesën tjetër, nuk di ç’të them, pasi ne shpresojmë që nga maji të fillojë të ketë ndonjë lëvizje dhe ndoshta situata ndryshon.
Nuk mund ta lëmë stafin pa mbështetje, sepse kemi 6 vjet që i trajnojmë dhe është me shumë vlerë për hotelerinë. Ata janë njerëzit që njohin më mirë mënyrën e operimit në sezonin e verës dhe këtu flasim nga menaxherët tek pjesa më skajore e këtij stafi. Janë baza jonë në këtë aspekt. Nëse ata ikin, i bie të mos kemi fare turizëm, pasi ulet standardi i shërbimit. Aktualisht kam të punësuar 100 punonjës” – thotë Çerenishti.
Lidhur me fondin e garancisë apo mundësitë e negocimit të kredive, administratori i FAFA Group shprehet se situata është ende e freskët dhe nuk janë hedhur ende hapat sesi do të veprohet apo si do të negociohet me bankat. “Në fakt, marrëdhënia jonë është qartësisht me bankat e nivelit të dytë dhe normalisht do të mundohemi të gjejmë një rrugë të mesme. Edhe vetë bankat kanë vështirësitë e tyre në gjithë këtë situatë” – sqaron ai.
Restorantet bëhen delivery në përpjekje për të mbijetuar
Të gjithë lokalet dhe restorantet janë mbyllur për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Një pjesë duket se i janë dorëzuar kësaj situate, duke lënë në çelës aktivitetin, ndërsa të tjerë duket se po mundohen të përshtaten me kushtet e reja dhe të mbijetojnë. Uka Farm, në rrethinat e Tiranës, si një restorant që konceptin e ka tek ushqimi i freskët nga ferma në tavolinë, në këtë situatë ka vendosur të shkojë drejt delivery. Flori Uka na tregon se nuk ka qenë e lehtë dhe ndaj shpresa për mbijetesë po shihet te shpërndarja e porosive në shtëpi tek klienti.
“Qëkur nisi e gjithë kjo ne jemi në vështirësi të madhe. Të ardhurat janë zero. Punonjësit i kemi lënë të lirë pasi nuk kemi mundësi t’i mbajmë. Kemi 18 veta staf, me kohë të plotë dhe në ditët e fluksit ky staf shkon deri në 30. Duke qenë se nuk kemi asnjë lloj aktiviteti po mendojmë të nisim delivery si restorant, pasi shohim që kjo situatë do të zgjasë pak.
Kemi vendosur një pjesë të menusë për këtë shërbim, pra jo menunë e plotë dhe do ta testojmë pasi nuk kemi kapital që të mbijetojmë gjatë, pa asnjë lloj përfitimi. Më herët kemi nisur shërbimin e shpërndarjes për verën. Nuk ka ndonjë kërkesë të madhe.
Pak a shumë mund të jenë bërë delivery rreth 100 shishe” sqaron ai. Lidhur me çmimet, z. Uka thotë se do të zbatohen ato të menusë por e sheh të vështirë operimin, pasi ka kosto në shpërndarje dhe në një faturë 1 mijë lekë të paktën 200 lekë janë kosto që i shkojnë platformës që menaxhon sistemin delivery./ monitor.al