Danimarka pritet të lehtësojë kufizimet e vendosura për të luftuar koronavirusin.
Nga e mërkura, fëmijët nga mosha 11 dhe më të vegjël do të rikthehen në shkolla dhe kopshte pas një mbyllje njëmujore.
Sipas BBC, Danimarka është ndër vendet e para që po lehtëson masat e kufizimit.
“Është e rëndësishme të mos e mbajmë Danimarkën të mbyllur më shumë nga sa është e nevojshme,” tha kryeministrja Mette Frederiksen.
Shpërthimi i koronavirusit duket nën kontroll në vend dhe qeveria kërkon që të rinisë ekonominë.
Por lëvizjet do jenë të kujdesshme.
Por përse po e bën Danimarka një lëvizje të tillë? Ajo ishte ndër të parat në Europë që aplikoi masat e izolimit që nga 11 marsi, 12 ditë përpara se të vendoseshin në Britani.
Kufijtë u mbyllën, punëtorët u lanë në shtëpi dhe u ndaluan takimet e mbi 10 njerëzve.
Megjithatë, kufizimet kanë qenë më të buta se në Francë e Britani. Nuk ka pasur urdhër për qëndrim në shtëpi. Baret, palestrat dhe parukeritë u mbyllën, por shumë dyqane ishin hapur.
Të dhënat tregojnë se përpjekjet e Danimarkës po japin fryte.
Deri tani janë raportuar 6 mijë raste me koronavirus dhe 260 vdekje.
Numri i personave të shtruar në spital, sidomos i atyre në terapi intensive, ka rënë ndjeshëm.
Danimarka ka mjaftueshëm kapacitete nëpër spitale, si shtretër në terapi intensive, ashtue dhe ventilatorë.
Pavarësisht se do nisin shkollat, do ketë rregulla të rrepta. Fëmijët duhet të mbajnë distancë dhe rregullat e pastrimit do jenë të forta. Po ashtu do inkurajohen mësimet jashtë në natyrë.