Ish-sekretarja e Ilir Metës, Albana Shtylla, është zgjedhur sot kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).
Në njoftimin zyrtar, KPA bën me dije se juristja Albana Shtylla ka marrë votën unanime të 7 anëtarëve për mandatin e kryetares.
“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, sot, më datë 30.06.2020, ora 11:00, u zhvillua seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për periudhën 26.07.2020 – 26.07.2023. Pas votimit të fshehtë që u zhvillua në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, rezultoi e zgjedhur me 7 (shtatë) vota pro, kandidatja Albana Shtylla. Ky rezultat u miratua me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve nr. 12, datë 30.06.2020”, njofton KPA.
Sipas ligjit për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla do të fillojë ushtrimin e detyrës së kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, më datë 26.07.2020, kur mbaron mandatin kryetarja në detyrë, Natasha Mulaj.
Albana Shtylla ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtore në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe sekretare e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, në kohën që drejtohej nga Ilir Meta.
Pas largimit të Ardian Dvoranit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), ky është një tjetër lajm që i shkon për shtat Ilir Metës.