Deri më tani janë zhvilluar katër skenarë të kurbës së rimëkëmbjes nga pasojat negative të pandemisë COVID-19 nga institucionet financiare ndërkombëtare, ato vendase dhe bizneseve në sektorët kryesorë.
Pandemia frenoi aktivitetin ekonomik në Shqipëri, ashtu si dhe në mbarë botën me një shpejtësi të paprecedentë këtë pranverë. Muaji prill arriti pikun e efekteve negative, ku të paktën 60 mijë persona humbën punën. Shitjet, eksportet, konsumi, investimet pësuan rënie me ritme dyshifrore, teksa borxhet në sektorin privat dhe publik janë rritur me një shpejtësi alarmante. Rihapja e ekonomisë pas uljes së agresivitetit të virusit po dëshmon se rimëkëmbja do të jetë një proces i vështirë, i ngadaltë, që me shumë gjasa do të përmbysë skenarët e rikuperimit që u lëshuan në mes të pandemisë.
Njerëzit po hezitojnë t’i kthehen normalitetit dhe të marrin angazhime të mëdha financiare si pushime të gjata, blerje të mëdha, rikonstruksione, etj. Bizneset kanë zhvendosur planet për zgjerime, investime dhe po punojnë me planet e emergjencës, teksa numri i të infektuarve po rritet. Rikthimi i një vale të dytë të virusit, pa një kurbë të qartë dhe mungesa e një vaksine, duket se do ta mbajnë ekonominë nën presion për rikuperim të shpejtë. Por institucionet financiare ndërkombëtare, ato vendase dhe përfaqësues nga sektorët kryesorë të ekonomisë kanë ndërtuar disa skenarë, nëpër të cilët do të kalojë rimëkëmbja e ekonomisë.
Projeksionet variojnë sipas disa skenarëve, nga më optimisti që merr në konsideratë rikuperimin me një rritje 8% të ekonomisë vitin që vjen, tek më pesimisti, i cili parashikon që efektet e pandemisë në rikuperim do ndikojnë negativisht përtej pesë viteve, ku zinxhirët e furnizimit do mbeten të përçara dhe produktiviteti shënon ulje sistematikë. Sipas projeksioneve të Bankës së Shqipërisë, të argumentuara në mënyrë të posaçme për Monitor, pritet që rikuperimi i pasojave të vijojë për një periudhë dyvjeçare.
Në një skenar bazë, të ndërtuar nga Banka mbi premisën e zhdukjes së pandemisë gjatë vitit 2020 dhe supozimeve të arsyeshme mbi ambientin e brendshëm dhe të huaj, ekonomia shqiptare pritet t’i rikuperojë humbjet e pësuara gjatë pandemisë brenda dy viteve të ardhshme.
Ministria e Financave parashikon që ekonomia e vendit të pësojë një rënie me së paku 5% këtë vit. Rënie të ngjashme kanë projektuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, teksa projeksionet për rikuperimin marrin në konsideratë rritje nga 2-8% gjatë vitit 2021. Skenari më i besueshëm tregon për një rikuperim të efekteve negative për një periudhë dy deri në tre vjet.
Skenari më optimist, rritje me 8% më 2021
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, në projeksionet e pranverës gjatë muajit prill, parashikuan se ekonomia e Shqipërisë do të tkurret me 5% gjatë këtij viti për t’iu rikthyer një rritje të vrullshme në vitin 2021 me rreth 8%.
Këto projeksione e çojnë kurbën e rritjes së ekonomisë në formën e germës Z dhe është projeksioni më optimist i rritjes pas pandemisë.
Sipas këtij skenari, pas një rënie drastike gjatë pandemisë, shumë shpejt gjatë vitit 2021 ekonomia rritet më shumë se parashikimet në kohë normale. Kjo për shkak se kërkesa shënon një bum të përkohshëm, duke supozuar se njerëzit do të blejnë veshjet e tyre të munguara gjatë krizës, do të bëjnë udhëtimet e munguara dhe do të konsumojnë mallrat dhe shërbimet e munguara krahas normalitetit.
Ky skenar, i cili pritet të ndodhë sipas FMN, parashikon që ekonomia të rritet më shumë se 8% më 2021, duke rikuperuar tërësisht rënien e vitit 2020. Pas bumit që pritet të vijë nga një rritje e pazakontë e kërkesë post-pandemi, ekonomia do të vijojë të rritet me ritme të larta edhe në dy vitet e mëpasshme 2022-2023 përkatësisht me 6 dhe 5%.
Sipas projeksioneve të Bankës Botërore, pritet që si bizneset, konsumatorët dhe besimi i investitorëve të rikthehet furishëm, duke bërë që konsumi privat dhe investimet të rriten. Rimëkëmbja e investimeve dhe e veprimtarive jetësore të tilla si shërbimet, turizëm, ndërtim, dhe energjia, do të mbështesin krijimin e vendeve të punës. Në Shqipëri, rindërtimi i pasojave të tërmetit do të jetë thelbësor për të stimuluar ekonominë në 2021, parashikon Banka Botërore.
Ky skenar konsiderohet shumë optimist dhe tashmë kur kanë kaluar dy muaj nga ky projeksion, situata nuk duket kaq entuziaste. Rikthimi i infektimeve me numra më të lartë se gjatë kulmit të pandemisë ka rritur mungesën e besimit në ekonomi, që pritet të reflektojë pasiguri edhe për një kohë të gjatë.
Javën e fundit, numri i të infektuarve po rritet me shpejtësi në raport me kohën e karantinës. Javën e kaluar ishin të shtruar në spital mbi 80 persona, teksa kapacitetet spitalore janë për rreth 450-500 pacientë sipas të dhënave zyrtare. Kur ky numër shtretërish do të jetë zënë, Komiteti i Monitorimit ndaj Pandemisë ka lajmëruar se mund të rikthehen masat e izolimit. Me këto pasiguri, në ecurinë e pandemisë do të ecë edhe ekonomia.
Skenari optimist, rritje 4% vitin që vjen
Një skenar tjetër më afër reales është ai i Komisionit Europian. Sipas analizës dhe projeksioneve të BE, të lëshuara për mbarë Europën, pritet që ekonomia e Shqipërisë të pësojë rënie me 5% këtë vit dhe të ringrihet me 4,2% vitin tjetër. Kjo ringritje ka formën e një kurbe në forme V, ku pas tronditjes, situata kthehet në normalitet. Rritja ekonomike në vitin 2019 u ngadalësua në 2,2% si pasojë e prodhimit më të ulët të energjisë dhe pasojave negative nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas këtij skenari, që mbështetet nga Komisioni Europian me rihapjen e ekonomisë në muajin maj, prodhimi, industria e ndërtimit dhe e shërbimeve pritet të përmirësohen gradualisht, duke krijuar kushtet për një rritje të ekonomisë me 4.2% vitin që vjen.
Sipas këtij skenari, ekonomia e vendit humb përgjithmonë rikuperimin e prodhimit të munguar gjatë pandemisë, por shumë shpejt kthehet në fillimin e saj para pandemisë me heqjen e kufizimeve. Në këtë skenar, shërbimet dhe mallrat e munguara nuk tentojnë të rimerren, por pasi jeta të kthehet në normalitet, gjithçka është ashtu si do të kishte qenë më parë.
Skenari bazë, rikuperim për 2-3 vjet
Me hapjen e ekonomisë, por edhe nën ankthin e virusit ekonomia nuk pritet të rikuperojë humbjet e krijuara gjatë pandemisë në dy-tre vitet në vijim. Banka e Shqipërisë, në një analizë së posaçme, pohoi se, pasojat kërkojnë një periudhë rimëkëmbje dy vite.
Ky skenar që është disi pesimist, po më afër realitetit, merr në konsideratë se, efektet e pandemisë në aktivitetin ekonomik zgjasin shumë përtej fundit të distancës sociale, dhe PBB-ja rimëkëmbet ngadalë. Edhe pse sipas këtij skenari, rreziqet e virusit zvogëlohen, ekonomia heziton të kthehet shpejt atje ku do të kishte qenë, megjithëse pas dy-tre vitesh arrin nivelin e parakrizës. Kurba e këtij skenari i ngjan ikonës së NIKE në formën e një U-je, ku rritja e PBB-së qëndron e ulët për një kohë, por pastaj rikthehet në nivelin fillestar ngadalë.
Sipas këtij skenari, ekonomia do të rritet me nga 2% në dy vitet në vijim, gjysma e parashikimeve fillestare.
Skenari pesimist, ekonomia në vendnumëro edhe në afatmesëm
Ky skenar në të cilin ekonomia qëndron në territor negative edhe për dy-tre vitet në vijim nuk ka gjasa të materializohet, vetëm nëse karantina zgjat për një kohë të gjatë.
Gjithsesi, pasiguritë që shoqërojnë ecurinë e pandemisë mund ta materializojnë një pjesë të tij. Institucionet financiare vendase dhe të huaja e marrin në konsideratë një skenar të tillë, në rast të zhvillimeve ekstreme.
Këto zhvillime marrin në konsideratë që efektet e pandemisë në PBB janë të përhershme. Investimet e humbura gjatë krizës, rishikimi i zinxhirëve të furnizimeve globale, ndryshimi i përhershëm i politikës fiskale dhe ngadalësimi i rritjes së produktivitetit e çojnë trajektoren e PBB-së në një nivel më të ulët se sa do të ndodhte para parashikimeve. Materializimi i këtij skenari nuk ka gjasa të materializohet sipas përfaqësuesve të ekonomisë reale, pasi me heqjen e masave kufizuese në muajin maj ka nisur të ndodhë rikuperimi.