SPAK dhe SHÇBA ndalojnë 2 punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre. Ata akuzohen se i kanë kërkuar një shtetaseje favore seksuale në këmbim të mjetit të sekuestruar. Ata janë Laurenc Duda dhe Henrik Zelija.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA-së, Tiranë finalizuan pas disa muajsh hetime me metoda speciale, operacionin për ndalimin e 2 punonjësve të policisë në strukturën e Komisariatit të Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.
Sot u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të Prokurorit të SPAK, në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojne funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”, për punonjësit e Policisë:
– H.Z., me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë;
– L.D., me detyrë Shef Seksioni për Verifikimin e Shkeljeve Administrative.
Nga hetimet e deritanishme është e provuar dhe dokumentuar procedurialisht se dy punonjësit, gjatë ushtrimit të detyrës në këmbim të dorëzimit të automjetit në pronësi të një shtetaseje të sekuestruar në cilësinë e provës materiale për një ngjarje ndodhur në shtator 2019, i kanë kërkuar përfitime të jashtëligjshme në formë rryshfeti dhe favore seksuale.
Ndër të tjera janë siguruar prova se me veprimet dhe mosveprimet me dashje, në një periudhe kohore relativisht të gjatë, kanë zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve të mësipërme, duke konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv. Hetimet vijojnë.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./syri.net