Juventus marshon e qetë drejt titullit kampion në Serie A.
Skuadra e drejtuar nga Sarri mposhti në derbi Torinon me rezultatin e thellë 4-1 në duelin e vlefshëm për javën e 30-t në elitën e futbollit italian.
Bardhezinjtë zhbllokuan shumë shpejt duelin pasi në minutën e 3’ ishte Paulo Dybala i cili e dërgoi topin drejt rrjetës.
Në minutën e 29’, Cristiano Ronaldo asistoi për golin e Juan Cuadrado, ky i fundit që vendosi shifrat në 2-0. Në minutën e parë të shtesës në pjesën e parë, Andrea Belotti ngushtoi diferencën nga pika e bardhë e penalltisë.
Gjatë fraksionit të dytë të lojës, Juventusi dominoi ndeshjen duke thelluar diferencën e golave, fillimisht me anë të Cristiano Ronaldos. Në minutën e 61’ portugezi nxori nga repertori i tij një gol të jashtëzakonshëm duke realizuar nga goditja e dënimit. Ndërsa rezultatin final e vendosi autogoli i Djidji (87’).
Me këtë fitore, Juventusi shkëputet në krye të renditjes me 75 pikë të grumbulluara, 7 më shumë se Lazio e vendit të dytë.