Kryedemokrati Lulzim Basha akuzon kryeministrin Edi Rama së po rrit borxhin publik për të mbushur xhepat e tij dhe të oligarkëve. Basha thekson se rritja stratosferike e borxhit në 80% të PBB është një goditje fatale për ekonominë duke bërë përgjegjës kreun e qeverisë.
Ai deklaron se shqiptarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze.
“RAMAVIRUSI po e gërryen nga brenda ekonominë tonë. Me rritjen stratosferike të Borxhit Publik në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rama po i jep ekonomisë një goditje fatale. Ky borxh që rëndon mbi qytetarët po përdoret jo për t’i ndihmuar ata në këto ditë të vështira, por për të mbushur xhepat e Ramës dhe oligarkëve në shërbim të tij. Për shkak të RAMAVIRUSIT, sot gjysma e shqiptarëve janë pa punë dhe mbijeton në kufirin e varfërisë.
Por shqiptarët kanë mundësi të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që jua lehtëson barrën e taksave dhe që rrit punësimin dhe investimet. Shqiptarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze e cila nuk do t’i lërë më në mëshirën e fatit, por do t’ju bëhet krah në ditët e tyre më të vështira. Ne për këtë po punojmë sepse ditë më të mira do të vijnë për të gjithë ne”, deklaron Basha.