Olsi Rama mund të ketë qenë nga ata që e ka ndjerë më tepër se të gjithë peshën e këtij derbi. Jo vetëm sepse luhej një pjesë vendimtare për Europën, por sepse ishte derbi, sepse atmosfera në skuadër pas infektimeve nuk ishte aspak e qetë e sepse e gjeti veten të bënte edhe… trajnerin. Adolfo Sormani nuk drejtoi ekipin dhe kjo është një cështje që duhet shpjeguar mirë, në kohën kur tifozët nuk mund të falin një njeri që trembet nga situata dhe braktis skuadrën në derbi. Ndaj italiani bën mirë të ketë shpjegim tjetër…
Rama nuk është se është mërzitur që e mori skenën të gjithë për vete, madje duket se i pëlqeu shumë: e pakuptimtë dalja e drejtorit të përgjithshëm të klubit përpara edhe Kalarit që ishte në detyrë, duke dhënë direktiva me duar (edhe pse sportin në kompetencë ka basketbollin). Sikur të mos mjaftonte, vëllai i Kryeministrit filmoi edhe tifozët bardheblu në stadium, për ta dokumentuar në ndonjë notë proteste të mundshme që do ti drejtohet Federatës, edhe pse në fakt organizator ishte vetë Partizani…
Në fund, mbrëmjen e suksesshme të një “One man show” ja prishi goli i Mucit, në minutën e 92, sepse në të kundërt kushedi, ndoshta Partizani nuk do kishte më nevojë për trajner tjetër: kur e drejton skuadrën në derbi, mund ta drejtosh kurdo…