Disa dritëhije mbi kthimin në xhami të Hagia Sophia nga Erdogani

0

Nga Jordan Jorgji*

Për ResPublica.al

“Sapo mësuam emrin e xhamisë së 3272 të Stambollit: xhamia Hagia Sophia” shkruan gazeta e njohur franceze, Le Figaro. Vetëm ky fakt mjafton për të gjykuar se veprimi i fundit i presidentit turk, Erdogan, i legjitimuar nga gjykata e shtetit në fjalë, nuk mund të jetë veçse i paramenduar dhe provokues. Madje, reagimi i Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe UNESCO-s, pasqyrojnë telendisjen e tyre përballë udhëheqjes së Turqisë nga njëra anë dhe marrëdhënieve që ato kanë me këtë të fundit nga ana tjetër.

Edhe pse ky zhvillim lë hapësirë të madhe për analiza dhe këndvështrime të ndryshme, dëshiroj që në këtë shkrim të nënvizoj shkurtimisht disa opinione themelore, të cilat prekin Turqinë dhe rolin e saj rajonal.

Së pari, lëvizja në fjalë i vendos vulën hallakatjeve të turqve islamistë kundër bashkatdhetarëve të tyre qemalistë gjatë shekullit të 20-të. Erdoganizmi në bashkinë e Stambollit, si dhe në fronin e drejtimit të Turqisë më vonë, përbëjnë trashëgiminë më të rëndësishme në sfidimin e kontributit të Ataturkut për sa i përket themelimit të shtetit shekullar të Turqisë moderne pas Luftës së Parë Botërore. Jo rastësisht, Qemal Ataturku dhe mbështetësit e tij asokohe vendosën të kthejnë ndërtesën e Hagia Sophia (Shën Sofias në gjuhën shqipe) në muze.

Së dyti, veprimi i Erdoganit çon në shkëputjen e përkohshme të Turqisë nga bota Euro-Atlantike, veçanërisht nga Bashkimi Evropian. Evropa nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë nxitimit të udhëheqësit turk për të de-shekullarizuar – që të mos abuzojmë me termin e de-kristianizimit – një shtet të rëndësishëm rajonal, të cilin Ataturku dhe ndjekësit e tij e lidhën me busullën e Perëndimit. Madje, Turqia pati qenë e avantazhuar nga ana e Perëndimit, edhe pse gjatë dy luftërave botërore ajo nuk u rendit hapur me fituesit. Anëtarësimi i shpejtë i Turqisë në OKB dhe NATO, si dhe mbyllja e syve përballë problemit kurd, flasin dukshëm për një fenomen të tillë. Natyrisht, nuk mund të pretendohet që Turqisë t’i mbyllet dera në fytyrë nga Bashkimi Evropian – akoma më pak nga Uashingtoni – por shtetet-anëtare të Bashkimit Evropian, veçanërisht Franca, po shprehin çdo ditë e më hapur mendimin se Brukseli nuk duhet të synojë anëtarësimin e plotë të Ankarasë në BE, por arritjen e një pakti strategjik dypalësh.

Së treti, kthimi në xhami e një simboli për gjenezën e kishës së krishterë dhe të identitetit të miliona krishterëve në rajon dhe në botë, mbart në vetvete rrezikun e mos-reduktimit të fanatizmave fetare, të cilat nga ana e tyre shërbejnë shpesh herë për ri-ndezjen e konflikteve ndër-fetare dhe ndër-etnike. Rastësisht ose jo, veprimi në fjalë përkoi me përvjetorin e masakrës së Srebenicës në Bosnjë-Hercegovinë, masakër e cila u krye në emrin e urrejtjes së ndërsjellët dhe të nacionalizmit ekstrem.

Së katërti, veprimi i Erdoganit plotëson imazhin e shtetit të tij si mbrojtës i Islamit politik në rajonin e Ballkanit dhe atë të Lindjes së Mesme. Kthimi në xhami i një ndërtese historike, në një qytet me mijëra xhami, tregon, veç të tjerash, se Turqia do të zhvillohet në një aktor rajonal gjeostrategjik, e mbështetur jo në të drejtat e njeriut dhe në tregun e lirë, por në identitetin e myslimanëve të pa-përfaqësuar në politikat globale. Në një kontekst të tillë, por edhe duke marrë parasysh faktin se autoritarizmi në Turqi është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, Turqia mund të kthehet në një eksportues të autoritarizmit në Ballkan, duke mos u kursyer të rivalizojë vizionin e integrimit evropian për shoqëritë me shumicë myslimane.

Së pesti, veprimi i Erdoganit dhe institucioneve turke (ri)hap një kapitull të rrezikshëm të ndërmarrjeve sovraniste kundrejt fenomeneve, monumenteve apo memorieve me vlerë mbi-kombëtare e deri universale. Si e tillë, Turqia mund të shkojë akoma më tej në vendosjen në dyshim të marrëveshje ndërkombëtare, të cilat vetë Erdogani ka i kritikuar vazhdimisht në të kaluarën, dhe për rrjedhojë të aplikojë qëndrime revizioniste ndaj të drejtës ndërkombëtare.

*Pedagog i Studimeve Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin Fan S. Noli, Korçë

Artikulli i mëparshëmVazhdon seriali ‘i turpit’ në Kadastrën e Vlorës: Prezantohet drejtori i radhës
Artikulli i radhësDëgjimi, shqisa që i “dorëzohet” e fundit vdekjes