Shqipëri: Pandemia thellon pasojat në njerëz dhe zhyt në vështirësi edhe sistemin farmaceutik

0

Në Shqipëri, autoritetet njoftuan sot edhe dy vdekje të tjera nga koronavirusi, 90 të shtruar në Spitalin Infektiv dhe 96 infektime të reja.

Situata kritike me pandeminë ka përfshirë edhe sistemin farmaceutik.

Sipas një anketimi të farmacive, më shumë se gjysma e tyre janë në krizë financiare, që mund ta tejkalojnë pas një viti, ndërsa janë të pafuqishme për të përballuar një valë të re të pandemisë gjatë vjeshtë.

Zyrtarët e shëndetësisë njoftuan sot edhe dy vdekje të tjera për shkak të COVID-19; dy zonja nga Shkodra dhe Elbasani, me të cilat shkoi në 97 numri i të vdekurve nga koronavirusi qysh nga fillimi i marsit.

Pjesa më e madhe e tyre ndërruan jetë 3 javët e fundit, dy herë më shumë sa vdiqën në 3 muajt e parë të pandemisë. Spitali Infektiv shënoi një tjetër record me 90 pacientë të shtruar, ndërsa infektimet ditore u shtuan edhe me 96 raste të reja.

Krahas sistemit shëndetësor, zgjerimi i pandemisë ka futur në vështiësi të mëdha edhe rrjetin farmaceutik shqiptar.

Sipas një ankete me farmacistët, gjysma e tyre janë në krizë financiare për shkak të përgjysmimit të shitjeve dhe likuiditeteve.

“67.7%, pra 2 farmacistë në 3 deklarojnë probleme likuiditeti, pra mundësie për të paguar. Më shumë se gjysma mendon se do t’i duhet mbi një vit për të rekuperuar dëmin, ndërsa vetëm 1 në 5 mendon se mund ta rekuperojë brenda 3 muajsh, pra brenda mesit të Shtatorit, kur pritet një agravim i situatës epidemiologjike të Covid-19” – citon nga anketimi bashkautori i saj Admir Malaj, ekspert në ekonomi dhe sisteme shëndetësore.

Edhe pse dita e shumë qytetarëve nis nga farmacia, ku blejnë maska dhe doreza, këto janë vetëm një pikë uji në hallet e shumta të farmacive. Afro 80 për qind e tyre pohojnë se janë të stresuar nga vështirësitë, një pjesë janë gati ta lënë punën, ndërsa një pjesë tjetër kanë filluar shkurtimet e punëtorëve. Kryesorja është se mjekët nuk japin si më parë ilaçe me receta dhe rimbursime, dhe nga ana tjetër vet qytetarët nuk kanë para dhe i marrin ilaçet me listë borxhesh.

“4 në 5 farmacistë deklarojnë në pyetësor se kanë rritje të listës së pacientëve që nuk pagajnë në kohë, pra shtim të librit të borxheve. Në qershor, në 1 nga 10 farmacitë e anketuara dikush e kishte humbur vendin e punës, prej uljes së punës/pagës, frikës nga infektimi, apo mungesës së transportit. Humbjet për farmaci llogariten nga disa qindra mijëra lekë të reja deri në mbi një milion për secilën farmaci, duke llogaritur xhiron e munguar” – thotë zoti Malaj.

Pandemia Covid-19 u kthye befas në Shqipëri në fund të qershorit, duke shkaktuar një seri të përditshme viktimash gjatë 3 javëve. Megjithë thirrjet e autoriteteve për masa mbrojtëse, qytetarët nuk i ndjekin rregullat si maska dhe distancimi, dhe lokalet, plazhet, rrugët e sheshet janë plot me njerëz të shkujdesur.(VOA)

Artikulli i mëparshëmNju Jork, gjykatësi lejon botimin e librit të sikletshëm të mbesës së Donald Trump
Artikulli i radhësDënohet me vdekje vrasësi amerikan, ekzekutimi i parë federal pas 17 vjetësh