Edhe gazetari Artan Hoxha publikoi një video nga mënyra se si Shqipëria është mbushur me drogë. Tashmë duket se ky është investimi më i madh në vend, të cilin Hoxha e quan ‘Narkokultura 2020’. Më herët ishte gazetarja e njohur, Anila Hoxha që publikoi foto nga plantacionet e kanabisit.
STATUSI I HOXHES
Narkokulturë 2020
Gjen mor gjen. Po të kërkosh, patjetër që gjen.
Sigurisht, me qetësi e dashuri, ndryshe ndonjë tufë me “qen stani” të pret rrugën…
Po me përgatitje të lartë psikologjiko-teknike dhe me një variant të mirë taktik, suksesi është nga ana jonë.
Hapi 1)-Fillimisht kapim lartësitë, që të ndihmojnë si pika vrojtimi.
Hapi 2)-Identifikojmë zonën e rrezikut dhe lëshojmë skifterin (dronin) nga ajri, me qëllim që të lokalizojmë objektivin dhe zbulojmë sistemin e sigurisë…
Hapi 3)-Sapo skifteri (droni) kap “gjahun” dhe na njofton se rojet u hutuan dhe lëshuan sinjalin “po vijnë të zinjtë” (nofka për FNSH, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë), lëshohemi me vigjilencë të lartë drejt luginës…
Në të vërtetë drejt “livadhit” nuk po zbarkojnë “të zinjtë” e FNSH-së, për fat “të mirë” janë të “zinjtë” e murrmë.
Vapë behari, Përmet-Këlcyrë, lugina rrëzë vargmalit Trebeshinë-Dhembel-Nëmerçkë.
Në ditët në vazhdim një material i plotë në ABC NEËS për sezonin e narkokulturës 2020.
I vetmi sektor, që jo vetëm nuk kërkoi pagë lufte nga paketat e ndihmës Rama-Ben Ahmetaj, por ka hapur me mijëra vende pune dhe ka kryer investime serioze, mbase më të fuqishmet gjatë këtij viti në Shqipëri…
Si ka thënë komandanti:
“jo se nuk ka punë, por nuk kemi profesionistë”.
Në rastin konkret batuta është:
“Kur ka profesionistë, i gjejnë punë vetes”…