Siç u njoftua edhe dje, pasditen e sotme Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të zhvillojë mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën e pazakontë të krijuar nga përhapja e COVID-19.
Duke marrë shkas nga situata në fjalë, mbledhja e Këshillit të Sigurisë do të zhvillohet online, ndërsa të pranishëm, ndonëse virtualisht, do të jenë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci, kryeministri Edi Rama, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Po ashtu, pjesë e kësaj tryeze do të jenë edhe ministri Arben Ahmetaj, Sander Lleshaj, Olta Xhacka, Ogerta Manastirliu, Etilda Gjonaj si dhe Anila Denaj.
Pjesë e axhendës që do të diskutohen sot do të jenë masat e marra deri më tani nga autoritetet qeverisëse, paketa e dytë financiare, ndryshimet në Kodin Penal, si dhe skenarët e përballimit e rimëkëmbjes ekonomike.
Në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishin të pranishëm në kreu i opozitës, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Ndërkohë, nuk bëhet ende e ditur se në çfarë orë do të mbahet mbledhja e sotme.