Ministrat e Mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë të mërkurën përgjigjen e Aleancës ndaj krizës së koronavirusit, tha të martën shefi i bllokut ushtarak, Jens Stoltenberg.
Në një konferencë shtypi, që mbajti në selinë e NATO-s në Bruksel, Jens Stoltenberg tha se ministrat në këtë takim që do të mbahet me videokonferencë, do të përqendrohen vetëm në luftën e tyre kundër koronavirusit, përfshirë pasojat afatmesme dhe afatgjata të pandemisë në funksionimin e aleancës ushtarake.
“Nga COVID-19 kemi nxjerrë një mësim për rëndësinë e rezistencës”, tha Stoltenberg.
Ministrat e Mbrojtjes gjithashtu do të shqyrtojnë implikimet e pandemisë në siguri si dhe aftësitë mbrojtëse të Aleancës.
Stoltenberg theksoi se detyra thelbësore e NATO-s mbetet të ruajë sigurinë e pothuajse 1 miliardë qytetarëve të saj.
“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë për të siguruar që kjo krizë shëndetësore të mos kthehet në krizë të sigurisë,” tha ai.
Duke iu referuar keqinformimit që ka nisur të përhapet kohët e fundit, Stoltenberg u shpreh kështu: “Po shikojmë qëshumë aktorë shtetëror dhe jo-shtetërorë po përhapin informacion të dëmshëm. Në këtë suazë, ministrat do të diskutojnë se si mund të përcaktohen dhe kontrollohen më mirë këto dezinformime. Nuk do t’u lëmë shteg nismave që përpiqen të na përçajnë”.
Takimi virtual i së mërkurës vijon bisedimet e ministrave të Jashtëm për mobilizimin e përpjekjeve të tyre për të ofruar mbështetje civile për krizën e koronavirusit.
Në fillim të muajit, ministrat e jashtëm të NATO-s ranë dakord të vlerësojnë rezervat e tyre dhe kapacitetet në aeroplanë (transportues) për dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmës në një mënyrë të koordinuar.