“Sulltani” nuk ndalet, gati ligji që kontrollon mediat sociale

0

Partia në pushtet e presidentit turk, Recep Tayyp Erdogan, ka përgatitur një projektligj, përmes së cilit do t’i mundësohej qeverisë të shtrëngojë kontrollin e saj në mediat sociale, tha një zyrtar turk, raporton Reuters. Projektligji pritet të shqyrtohen nga parlamenti gjatë javës së ardhshme. Opozita ka frikë se legjislacioni do të çojë në censurë më të madhe në vend.

Pse u përgatitën projektligjet?

Më fillim të këtij muaji presidenti, Recep Tayyip Erdogan, u zotua se do të vë nën kontroll mediat sociale, pas pretendimeve se në rrjetin social Twitter, përmes disa postimeve, ishin fyer vajza dhe dhëndri i tij, pasi kishin njoftuar se ju ka lindur fëmijë.

Të paktën 11 persona u arrestuan dhe u morën në pyetje për këtë rast.

Projektligji do t’i detyrojë kompanitë e mediave sociale me më shumë se 1 milion përdorues të përditshëm në Turqi – të tilla si Twitter, Facebook dhe YouTube – të hapin një zyre ose të caktojnë një përfaqësues në Turqi, i cili do t’i përgjigjet autoriteteve turke.

Ky përfaqësues, sipas autoriteteve turke, do të ishte përgjegjës edhe për çështje tatimore.

Nga kompanitë e mediave sociale ose përfaqësuesi i saj gjithashtu do të kërkohet t’i përgjigjen brenda 48 orëve ankesave në lidhje me postimet që shkelin të drejtat personale dhe të privatësisë.

Kompanitë e mediave sociale do të ishin të detyruara të caktojnë një përfaqësues brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e legjislacionit, ose të përballen me gjobë, u tha gazetarëve ligjvënësja e partisë në pushtet, Ozlem Zengin.

“Ne synojmë t’i japim fund fyerjeve, dhe ngacmimeve të bëra përmes mediave sociale”, tha Zengin.

“Prioriteti ynë nuk është të mbyllim mediat sociale. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë në jetën tonë”, tha ajo.

Kontroll apo cenzurë?

Partitë e opozitës, kanë shprehur shqetësime se planet e qeverisë kanë për qëllim të kufizojnë më tej aftësinë e qytetarëve për të pasur qasje në mediat sociale dhe për të lexuar lajme dhe informacione të pavarura, në një mjedis të mbizotëruar nga media pro-qeveritare.

Mijëra faqe në internet tashmë janë të bllokuara në Turqi. Qeveria turke disa herë ka ndaluar YouTube dhe Twitterin në të kaluarën.

Ndërkohë, të paktën 76 gazetarë dhe punonjës të tjerë të mediave janë të burgosur, sipas Unionit të Gazetarëve të Turqisë.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e ka cilësuar Turqinë si një nga vendet që ka burgosur më së shumti gazetarë në botë. /REL/

Artikulli i mëparshëmProstituta e infektuar alarmon qytetin/ Kryebashkiaku thirrje burrave: Tregojuni grave
Artikulli i radhësNicki Minaj shtatëzanë për herë të parë