Opozita e Bashkuar i ka kthyer përgjigje Edi Ramës, në lidhje me kërkesën e tij për të mbledhur sot Këshillin Politik.
Sipas emailit të opozitës, propozohet që mbledhja e Këshillit Politik të zhvillohet ose të enjten në orë 17:00, ose të premten në orën 11:00 sipas axhendës së mazhorancës.
Përgjigja e opozitës së Bashkuar:
Në vijim të email-it më poshtë, propozojmë që mbledhja e Këshillit Politik, është e përshtatshme, të zhvillohet të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00, sipas kohës tuaj.
Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: ‘11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me:
(1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.
12. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.’.
Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.
Mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj!
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili