Projekti 67 milionë USD i ujitjes në bujqësi, BB i lë qeverisë tre detyra për zbatim

0

Ekipi i Bankës Botërore ka bërë një rishikim të fundit të projektit të ujitjes dhe kullimit që po zbatohet në vendin tonë me një mbështetje financiare prej 67 milionë dollarësh duke nënvizuar se COVID-19 dha ndikimet e tij në zbatim por ecuria pas bilancit është më e mirë sesa pritej.

“Projekti ka hasur në disa vonesa zbatimi për shkak të kufizimit të lëvizshmërisë së kontraktorëve, konsulentëve skuadrës së menaxhimit të projektit dhe punonjësve për shkak të krizës së COVID-19 që rezultoi në pezullimin e aktiviteteve të projektit për më shumë se një muaj si dhe fillimin e sezonit të ujitjes dhe ndërhyrja e punimeve me shpërndarjen e ujit për ujitje që bëri që të pezulloheshin punimet madhore dhe kufizoi fushën e veprimeve në terren.

Pavarësisht këtyre sfidave në total niveli i kompletimit të punimeve ishte më i lartë sesa priten dhe projekti është në rrugën e duhur drejt arritjes së objektivave të zhvillimit. Aktualisht përdoruesit e ujit që iu mundësohet shërbimi i ujitjes dhe kullimit i përmirësuar janë 31 140 (targeti është 35 000).

Në mënyrë të ngjashme edhe përfituesit direkte të projektit janë aktualisht 40 mijë dhe me kompletimin e degës së Krutjes (kanaleve V1 DHE v2) të gjashtë skemave të tjera ujitjes dhe asaj të Janjarit targeti për këtë tregues (që është 80 mijë) do të arrihet plotësisht ose mund të kalohet” thuhet në dokumentin e BB.

Ekipi i Bankës ka lënë edhe detyruat përkatëse për qeverinë dhe ekipin zbatues të projektit në mënyrë që të shihen me prioritet disa aspekte.

Kështu së pari theksohet se kontrata e sistemit të ujitjes Janjari kërkon mbështetje intensive të zbatimit për të siguruar përfundimin në kohë. Ekipi rekomandon takime të shpeshta me kontraktorët dhe mbikëqyrësit dhe vizitat në terren (të paktën tre herë në muaj) për të parë progresin e zbatimit dhe zgjidh çështjet kur ato lindin,

Së dyti ministria dhe ekipi i menaxhimit të projektit këshillohen të përgatisin një plan pune të detajuar për punët tashmë të kontraktuara (veçanërisht për skemën Janjari) dhe për aktivitetet që do të kontraktohen së shpejti duke vendosur piketa të qarta, zgjidhje dhe data dorëzimi që do të përdoren si mjete monitorimi javor për zbatimin.

Së treti të përfundohet procesi i prokurimit për disa aktivitete të mbetura (instrumentet e sigurisë së digave dhe hartat GIS të ujitjes dhe rrjetet e kullimit).

Artikulli i mëparshëmTërmet 7.8 ballë i shkallës Rihter godet Alaskën, jepet alarmi për tsunami
Artikulli i radhësLinkedIn do të shkurtojë 6% të forcës së punës për shkak të pandemisë