Po prisnin ditën e ekzekutimit, 8 të burgosur vdesin nga koronavirusi

0

8 të burgosur të dënuar me vdekje janë mes 15 personave që kanë humbur jetën në burgun më të vjetër të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara. Burgu “San Quentin” është shndërruar tashmë në vatër infeksioni, raportojnë mediat amerikane dhe kriza atje sa vjen e përkeqësohet. Deri tani janë të konfirmuar si të infektuar me Covid-19 më shumë se 2/3-at e të burgosurve.

67-vjeçari John Beames ishte i dënuari i fundit me vdekje që ndërroi jetë të martën nga Covid-19, i teti nga njësia e atyre që presin ekzekutimin, sipas Associated Press. Ai ishte i dënuar me vdekje pasi në vitin 1994 kishte vrarë një foshnje 15-muajshe.

Viktima e parë nga Covid-19 në burgun “San Quentin” u raportua në mes të qershorit, kur Richard E. Stitely, i cili qëndronte pas hekurave prej 30 vitesh. Sipas CNN, pas analizave, rezultoi se ai ishte i infektuar me Covid-19. Ai ishte dënuar me vdekje për përdhunimin dhe vrasjen e një 27-vjeçareje në vitin 1990.

6 të burgosurit e tjerë në zonën e atyre të dënuar me vdekje, vdiqën të gjithë mes 3 dhe 20 korrikut, të gjithë të dënuar për vrasje, përdhunime dhe vepra të tjera të rënda penale.

Në Kaliforni numri i të burgosurve që presin ekzekutimin është 717 sipas departamentit të burgjeve. Burgu “San Quentin”, që ndodhet pranë San Franciskos, ka 2018 raste të konfirmuara me koronavirus, 137 vetëm në 14 ditët e fundit.

Artikulli i mëparshëm‘Kryemyftiu’ i Turqisë shfaqet me shpatë në dorë, gjatë faljes së parë në katedralen Shën Sofia që Erdogan e ktheu në xhami
Artikulli i radhësTatimi shtesë për të dypunësuarit me të ardhura mbi 2 mln lekë, KLSH: Është i paligjshëm; Argumenti i tatimeve