Në vitin 1978, Xhani Versaçe ngriti një linjë të re veshjesh sipas vizionit të tij personal, dhe hapi butikun e tij të parë në Milano. Deri në vitin 1997, ai zotëronte 130 butikë luksozë në mbarë botën, dhe ishte një nga stilistët më të famshëm të botës, me një pasuri prej 807 milionë dollarësh.
I njohur për modelet e tij me ngjyra të gjalla, ai kreu një revolucion në botën e modës me taktikën e tij strategjike për të punuar me super-modele, dhe për të pasur në rreshtin e parë të pasarelave të tij vipa si Madona dhe Elton Xhon.
I ndodhur në krye të një perandorie financiare, të cilën ai e drejtonte me motrën, Donatela, dhe vëlain, Santo, Xhani kishte nevojë për një vend ku mund të tërhiqej dhe të pushonte. Dhe ai e gjeti “parajsën” e tij gjatë një udhëtimi në Miami Beach në vitin 1991.
“Këtu ku jetoj është shumë qetë. Unë nuk gjej në asnjë vend tjetër rehati”- do të shprehej për mediat në vitin 1993. Fatkeqësisht, pikërisht aty ku mendonte se kishte gjetur lumturinë, ku ai nuk kishte asnjë shqetësim, u vra nga një person i armatosur.
15 korriku i vitit 1997, ishte në dukje një ditë si gjithë të tjerat. Versaçe u zgjua në Casa Casuarina, një rezidencë 3-katëshe e stilit mesdhetar të viteve 1930 me 10 dhoma, e pozicionuar në 1116 Ocean Drive, në pjesën më të qetë të rrugës popullore Miami Beach.
Ai sapo kishte pasur një sfilatë jashtëzakonisht të suksesshme në Paris të koleksionit të tij të vjeshtës, me protagoniste supermodelen Naomi Kempëll. Dhoma e Tregtisë Itali-Amerikë ishte gati ta nderonte si Qytetarin e Vitit. Ai ishte rikthyer në rezidencën e tij në Florida, për të pushuar me partnerin e tij prej 11 vjetësh, Antonio D’Amiko.
Rreth orës 8:30 e mëngjesit, Versaçe doli për një kafe, siç bënte shpesh, vetëm rreth 500 metra larg banesës. Për banorët e zonës, ishte bërë e zakonshme të shihnin fqinjin e tyre me famë botërore duke shëtitur. Ai ndalej shpesh pranë kafenesë për të blerë revista.
Atë mëngjes shpenzoi rreth 15 dollarë për 5 revista, dhe më pas u nis për në shtëpi. Sapo po bëhej gati të hapte derën e vilës, kur një i panjohur, i veshur me një T-shirt gri, pantallona të shkurtra të zeza, një kapelë të bardhë në kokë, dhe një çantë shpine nga pas, u shfaq menjëherë nga pas.
Me një pistoletë të kalibrit 0.40 , ai qëlloi me 2 plumba në pjesën e pasme të kokës ikonën e modës dhe u largua me vrap. Dëshmitari okular Edi Bianki, ndodhej në ato momente në një dyqan patinash, dhe vrapoi më shpejtësi në drejtimin nga dëgjoi krismat.
“Ne mbetëm vetëm duke e parë, pasi nuk mund të bënim dot asgjë. Gjaku nga koka po i rridhte çurg. Ai u trondit paksa, dhe më pas ndaloi së lëvizuri”- tha ai për “The New York Times”. Versaçe u transportua me shpejtësi në Qendrën e Traumës së Spitalit Memorial Xhekson në Majemi, 11 km larg vendngjarjes.
Por në orën 9:15 të mëngjesit, ai u shpall i vdekur në moshën 50-vjeçare. Vrasja e tij troditi botën. Të gjitha mediat mësynë në Miami Beach. Kureshtarët rrethuan hyrjen e shtëpisë, duke kundruar pellgun e gjakut, përpara se ai të pastrohej atë pasdite.
Më pas vendi u shndërrua në një memorial të improvizuar, me lule dhe kartolina të lëna nga fansat e shumtë të stilistit. Në anën tjetër të botës, emra më të mëdhenj të botës së modës, dërguan ngushëllimet e tyre. “Lajmi për vdekjen e Xhani Versaçes më ka shokuar. Jam i revoltuar ndaj një vdekje kaq të panatyrshme dhe të dhunshme”-tha Xhorxho Armani. Ndërkohë stilisti tjetër italian Xhanfranko Ferre tha:Ajo që ndodhi është absurde, e pashpjegueshme, e tmerrshme… Ndiej vetëm një dhimbje të pafund”.
Ndërsa industria e modës u përpoq të kuptonte vdekjen e parakohshme, në hetim u përfshi vetë FBI-ja. Mbi të gjitha, Versaçe nuk ishte viktima e parë e autorit të krimit, Endrju Kananan. I përshkruar si një “zhigolo homoseksual me shumë fat” nga revista “Vanity Fair”, 27-vjeçari amerikan me origjinë të përzier italiane dhe filipinase, ishte lindur dhe rritur në San Diego. Me një inteligjencë të madhe, dhe një kujtese fotografike, ai bënte një jetë luksoze, duke u lidhur shpesh me burra të moshuar të shtresës së pasur.
Një nga pikëpyetjet më të mëdha që la pas ajo ngjarje, ishte nëse Versaçe dhe Kananan e njihnin apo jo më herët njëri-tjetrin. Disa burime pohojnë se i riu ishte takuar me stilistin në San Francisko disa vite para ngjarjes, por familja Versaçe ka këmbëgulur vazhdimisht se ata që dy nuk njiheshin.
Por një gjë ishte e sigurt. Kananan e kishte humbur toruan në pranverën e vitit 1997, duke kryer plot 4 vrasje midis 27 prillit dhe 9 majit. Vrasja e parë ishte e mikut të tij më të mirë Xhefri Treil, 28 vjeç, e pasuar nga ajo e partnerit të tij, Dejvid Medson, 33-vjeç, në Minesota.
Ai shkoi më pas në Çikago, ku vrau biznesmenin 75-vjeçar të pasurive të patundshme Li Miglin. Ndërsa disa dëshmi pretendojnë se Miglin ishte një klient i Kananan, familja Miglin thotë se patriarku nuk e kishte takuar ndonjëherë vrasësin e tij para asaj nate.
Ato 3 vrasje u cilësuan nga kriminologët si vepër e “sulmuesi seksual patologjik dhe sadist”. Por viktima e tij e katërt, 45-vjeçari Xhersejan Riz, u vra thjesht për t’i marrë makinën e tij Shevrolet. Këto krime e kishin vendosur Kananan në listën e më të kërkuarve të FBI-së.
Hetimet zbuluan se ai kishte shkuar në Majemi që në datën 12 maj, dhe jetonte në ‘Normandy Plaza’, 6.5 km larg shtëpisë së Versaçes. Ai bëri ato javë një lloj jete të dyfishtë, duke shijuar jetën e natës. Meqë qëlloi mbi stilistin nga një distancë e afërt, dëshmitarët okularë e panë duke vrapuar.
Rrobat që kishte veshur atë mëngjes u gjetën brenda makinës Shevrole në një garazh. Më 23 korrik, një ekip policor hyri në një port jahtesh, ku kishte të dhëna se ishte fshehur vrasësi. Mendohej se ai po përpiqej të gjente një pasaportë të rreme për t’u larguar nga SHBA.
Kur policët po i afroheshin për të arrestuar, ai vrau veten më armën që kishte me vete.
Pa asnjë shënim të lënë, nuk pati kurrë ndonjë shpjegim se përse Kananan e vrau Xhani Versaçen. Rreth 2.000 njerëz morën pjesë në funeralin e stilistit në kishën katolike të Milanos më 22 korrik 1997.
Për të vazhduar trashëgiminë e tij, familja u fokusua në perandorinë e tij të modës. Edhe pse kompania iu shit në vitin 2018 biznesmenit Majkëll Kors për 2.1 miliardë dollarë, e motra Donatela Versaçe vazhdon të jetë përgjegjëse për markën e veshjeve.